Lamtumira e Jurgen Kloppit me Liverpoolin në fund të sezonit ka shkaktuar shumë polemika prej disa javësh dhe me afrimin e datës flitet edhe më shumë për këtë temë në Angli.
Dhe, pasi trajneri gjerman siguroi se nuk do të drejtojë kurrë një klub tjetër në Angli dhe do të marrë një periudhë pushimi, u ngrit një pikëpyetje se si do t’i kalojë ditët Klopp. Në një intervistë për Sky Sports, ai vetë zbuloi disa detaje.
“Ka disa gjëra që Ulla (bashkëshortja e trajnerit) dëshiron që unë t’i mësoj. Do të ndjek kurse gatimi dhe kërcimi. Duhet të mësoj si të gatuaj diçka, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për mëngjesin apo diçka të tillë…
E di vetëm që kuzhina ekziston në shtëpi se nga aty vjen era, jam krejtësisht i padobishëm në punët e shtëpisë. Për herë të parë në gjithë jetën time, nuk e kam idenë se çfarë do të bëj dhe kjo është pikërisht ajo që dua”, tha Klopp.
Me Liverpoolin në luftë për titullin anglez, gjermani pranoi se do të ishte e veçantë të largohej nga “Anfield” me këtë trofe.
“Do të doja t’u jepja njerëzve mundësinë për të festuar sërish diçka të veçantë. Jam shumë i lumtur që jemi në këtë garë”, përfundoi Klopp.