Debati në distancë mes Igli Tares dhe Miroslav Kloses vazhdon, pasi palët duket se kanë pakënaqësi të vjetra me njëri-tjetrin që nuk janë fashitur me kalimin e viteve. Ish-drejtuesi i Lacios pat thënë se të jesh një futbollist i madh nuk do të thotë detyrimisht të jesh një njeri i madh, pasi gjermani kishte deklaruar se nuk e meritonte mënyrën se si ishe larguar nga bardhekaltrit. Dhe Klose iu kundërpërgjigj nëpërmjet një interviste për “Il Messagero”.
“Nuk dua që të bëj polemika, unë kam thënë vetëm që nëse dikush vendos që të ndërpresë një raport me një lojtar, duhet t’ia thotë më përpara dhe të mos presë ditën e fundit siç ndodhi me mua, Luliç, Mauri, Bizarri… Lista është e gjatë.
Kur mua nuk m’u komunikua asgjë, mora vendimin që ta mbyllja dhe të mos bezdisja askënd. Por kam treguar historinë time në mënyrë që këto keqkuptime të mos përsëriten në të ardhmen, në mënyrë që të ndryshojë edhe metoda e punës te Lacio.
Me Taren u ndamë keq pasi nuk është një person që t’i thotë gjërat në fytyrë. Por ka bërë një punë të madhe. Më ka sjellë në këtë klub mua, por edhe shumë talente si Felipe Anderson e Milinkoviç”, tha Klose në intervistën e tij.
PANORAMASPORT.AL