Klubi i futbollit nga Irlanda e Veriut, Larne, ka reaguar për flamurin anti-Kosovë të shfaqur në stadiumin e tij të martën mbrëma në ndeshjen ndaj Cërvena Zvezdës së Beogradit.
Në reagimin e lëshuar të mërkurën, Larne ka thënë se flamuri ishte vendosur nga një individ i vetëm. Dhe për më tepër ai nuk ishte tifoz i klubit.
Flamuri anti-Kosovë bëri bujë, ndërsa u publikuar edhe nga klubi serb Cërvena Zvezda, i njohur për qëndrimet anti-Kosovë.
Në flamur shkruante “Kosova është Serbi” në gjuhën angleze, ndërsa një stemë serbe ishte e vendosur mbi hartën e Kosovës.
Klubi anti-shqiptar, Cërvena Zvezdan, e publikoi në faqen zyrtare.
“Kosova është Serbi! Faleminderit Larne”, shkroi Zvezda në gjuhën serbe dhe angleze.
Megjithatë Larne është distancuar të mërkurën, duke njoftuar se nuk ka të bëjë asgjë me këtë flamur.
“Klubi i futbollit Larne është në dijeni të një fotografie që qarkulloi nga ndeshja e mbrëmshme e Ligës së Kampionëve kundër Cërvena Zvezdës në ‘Inver Park’. Gjatë pjesës së parë një flamur i natyrës politike u shfaq mbi reklamat në tribunën McKay. Sapo na u bë e ditur kjo, ekipi ynë i sigurisë së stadiumit veproi shpejt për ta hequr flamurin”, shkruan në komunikatën e Larnes.
Ndeshjen e Championsit, Larne e ka vlerësuar “natë historike”.
“Kjo nuk duhet të errësohet nga veprimet e një individi të vetëm, i cili nuk është tifoz i klubit të futbollit Larne dhe po merrte pjesë në ndeshje si neutral, në seksionin vendas. Si klub, ne përsërisim qëndrimin tonë se emblemat dhe shenjat politike nuk kanë vend në futboll”, ka shkruar klubi nga Irlanda e Veriut, që humbi 4:0.
Serbët vazhdimisht tentojnë të bëjnë provokime me flamuj e simbole anti-shqiptare dhe anti-Kosovë. Pos huliganëve serb përfshihen edhe klubet, si në këtë rast Cërvena Zvezda, që ka shtrembëruar realitetin duke lënë të kuptohet se ishte klubi nga Irlanda e Veriut që qëndronte pas shpalosjes së flamurit. Por klubi i Larnes ka zbuluar të mërkurën gënjeshtrën e klubit serb.
Larne ka luajtur dy herë me Ballkanin dhe një herë me Prishtinën në kuadër të garave evropiane.