Kombëtarja serbe e futbollit ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”. Futbollistët e Serbisë kanë zbarkuar në “Rinas”, teksa do të nisen menjëherë drejt hotelit ku do të akomodohen.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar qytetarët për masat e marra, deri në akomodimin e kombëtares serbe në hotel. Sipas njoftimit të Policisë, ditën e sotme do të ketë kufizime përreth zonës së hotelit, teksa diçka e tillë do të ndodhë edhe nesër.
Kujtojmë se Shqipëria dhe Serbia do të përballen të shtunën e 7 qershorit në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 20:45.
Në vijim të njoftimit të dhënë për planin e masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri–Serbi”, ju informojmë se:
Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”, pasditen e sotme në orën 16:30 dhe ditën e nesërme në orën 18:45, do ketë kufizime të pjesëshme deri ne 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje mbasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen.
Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht që i gjithë aktiviteti të përfundojë me sukses porsa i përket masave të sigurisë, dhe në këtë kuadër me qëllim shmangien e incidenteve, apelojmë për mirëkuptim nga ana e qytetarëve, si dhe respektim të udhëzimeve të strukturave të policisë në terren.
Çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero.