Situata e Ernest Muçit në këtë fillim sezoni nuk është aspak siç pritej duke patur parasysh mbylljen fantastike të sezonit të kaluar. Sulmuesi shqiptar shënoi 5 gola me Besiktas në 17 ndeshje duke fituar edhe Kupën e Superkupën e Turqisë.
Ky fillimsezon, me trajnerin e ri Giovanni van Bronckhorst, çuditërisht e ‘syrgjynosi’ Muçin në stol. Asnjë ndeshje si titullar që pas Europianit edhe pse në 2 inkuadrime nga stoli ia ka dalë të shënojë 1 gol e 1 asist duke treguar vlerat e tij.
Në një situatë delikate si kjo, pauza e Kombëtares pritej të sillte pak frymëmarrje për një nga talentët më të mëdhenj shqiptar.
Por, këtu vjen një goditje edhe më e rëndë se ajo në Turqi. Në listën e përzgjedhur nga Sylvinho, emri i Muçit nuk figuronte duke qenë mes mungesave të mëdha bashkë me të tjerë si Uzuni e Daku.
Vendin e tij e ‘zuri’ Agim Zeka e Sebastjan Spahiu, 2 lojtarë nga kampionati shqiptar prej të cilit ka dalë edhe Muçi. Befasi e madhe që ka ngritur një ‘gjullurdi’ në opinionin publik që ende nuk po arrin të arsyetojë këto vendime.
Një gjë është e sigurtë, në konferencën zyrtare për shtyp Sylvinho do të ketë mjaft pyetje për t’ju përgjigjur.