Përpara ndeshjeve miqësore me Gjibraltarin dhe atë zyrtare me letoninë, trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka analizuar situatën në skuadrën e tij. Pas largimeve të shumta të disa lojtarëve për shkak dëmtimi, largimit të Bajramit te kombëtarja e Zvicrës, braziliani ka thënë në konferencën për shtyp se do t’u japë mundësi të luajnë lojtarëve të rinj, sidomos në ndeshjen miqësore. Kjo ndeshje do ta ndihmojë trajnerin për të krijuar më pas formacionin në përballjen tepër të rëndësishme, atë me Letoninë.
Silvinjo përballet me një situatë të vështirë në skuadër, për shkak të largimit të disa lojtarëve për shkak dëmtimi dhe afrimit të disa lojtarëve të tjerë të rinj. Por sa i përgagtitur është braziliani për këtë situatë?
“Me Letoninë është ndeshje e vështirë, sidomos kur ke edhe lojtarë që të mungojnë. Do të gjejmë mundësitë më të mira me lojtarët që kemi. Këto janë gjëra që ndodhin në çdo skuadër. Ndaj si trajner duhet të jem gjithmonë i përgatitur për gjithçka dhe për listën e pritje”.
Përsa i përket situatës së Adrian Bajramit, të larguar pasi zgjodhi kombëtaren e Zvicrës, Silvinjo përgjigjet:
“Kur flet për Bajramin është e thjeshtë. Kishim një listë pritje, që me 17 gusht, dy javë më vonë nuk kisha asnjë përgjigje ndaj isha i lirë të bëja një listë për lojtarët që do të merrja. Kishim miqësoren dhe Letoninë. Një ditë më vonë, pas konferencës, dikush nga federata më telefonoi dhe më tha që Bajrami ka zgjedhur të ndërrojë federatën”. Ishte të shtunën, fola me të rreth 30 minuta me telefon, gjithçka është qartësuar. Fat të mbarë, ndodh shumë shpesh në botë, kështu ka ndodhur edhe në kombëtaren e Brazilit kur 2-3 lojtarë zgjidhnin italinë apo ndonjë skuadër tjetër. Pra, asgjë më shumë se kaq, kjo është e vërteta. Nuk ndjehem aspak fajtor që ai u largua. I uroj më të mirën Bajramit. Ishte zgjedhje e tij”.
Aktualisht në kombëtare, Silvinjo ka shumë lojtarë të rinj. A do të jenë ata pjesë e formacionit me Letoninë? Silvinjo jep një përgjigje edhe për situatën e Brojës.
“Kemi 23-24. Jam i lumtur me lojtarët si Kaçurri, Shpendi, Çokaj dhe kam besim tek ata që do të japin maksimumin. Luajmë ndeshje të ndryshme. Miqësorja është e para dhe secili lojtar do të hyjë në fushë për të fituar dhe do të japë më të mirën. Të shikojmë si do të shkojë ndeshje me Gjibraltarin dhe më pas do të mendojmë për 11-shen ndaj Letonisë. Në skuadër ka ardhur Simoni për të zëvendësuar Kastratin. Besoj te ai, se e mora edhe në Europian. Ndërsa Broja është në rregull, nuk ka asnjë problem. Ai e di që duhet të vazhdojë të luajë vazhdimisht për të marrë eksperiencë. Ai po jeton në Angli, por është klub i ri e metodologji e ndryshme, ai ka luajtur disa minuta, nuk është maksimumi i tij. Por po bëhet mirë e më mirë, asnjë problem fizik, është në rregull”.