Në “San Siro” ishte një sfidë shumë e bukur dhe e hapur. Në pjesën e parë kuqezinjtë m’u dukën pak të çorganizuar dhe dyfishonin markimet ndaj Dembelesë dhe Mbapesë. Shpesh pranuan ta mbanin sfidën në duele një kundër një dhe duke e bërë këtë francezët krijuan disa mundësi.
Në pjesën e dytë, megjithatë, pashë një Milan më të qetë, ata u dukën dukshëm më të rregullt taktikisht dhe më kompaktë duke arritur të mbyllin hapësira dhe të dyfishojnë markimet në korsi. Të gjithë dhanë maksimumin, të gjithë punuan shumë dhe ky është një aspekt shumë pozitiv, veçanërisht pasi vinin nga humbja e keqe kundër Udinezes në kampionat.
Fitorja ndaj PSG-së është një përgjigje e rëndësishme nga grupi i cili megjithatë tani ka detyrimin të vazhdojë në këtë rrugë. Për të mos pasur uljengritje, për të mos vuajtur nga rënia e tensionit dhe e vëmendjes, është thelbësore të ruhet shpirti i madh ekipor dhe motivime të forta. Do të thosha se të martën Milani i tregoi këto cilësi.
Por a e patë fuqinë, përshpejtimin dhe forcën e Ruben Loftus-Çikut? Në mesfushë ai pati gjithmonë qartësinë për të zmbrapsur sulmet kundërshtare dhe energjinë për të shtyrë përpara. Anglezi ishte i mrekullueshëm, por duhet ta pranoj që më pëlqyen të gjithë. Lojtarët e Milanit luftuan, vuajtën të gjithë bashkë, dëshmuan se ishin kolektiv.
Duhet theksuar performanca e shkëlqyer e Rafael Leaos. Portugezi, i cili për mendimin tim ka cilësi mbresëlënëse dhe zemërohem sa herë që nuk i shfrytëzon ato, kthehej prapa për t’u dhënë ndihmë shokëve në fazën defensive e për më tepër bëri një seri të pabesueshme shpërthimesh e në këtë mënyrë përveçse i krijoi probleme rivalit, i dha kurajë të gjithë ekipit. Kundërsulmet e Leaos në pjesën e dytë ishin vërtet shkatërruese: ishte e pamundur ta ndaloje.
Dhe atëherë si mund të mos përmendim goditjen me kokë të Olivier Zhirusë: perfekt për sa i përket kohës, saktësisë dhe fuqisë së dhënë topit. Dhe vini re se kundërshtari i drejtpërdrejtë ishte Milan Shkriniar, dikush që me kokë ka shkëlqyer gjithmonë siç e dëshmoi edhe goli i shënimit. Me pak fjalë, nga “San Siro” një shenjë shprese për të ardhmen. Si për Champions-in ashtu edhe për kampionatin.
PANORAMASPORT.AL