Transferim i bukur ai i Herri Kejnit! Jo vetëm për Bajernin e Mynihut, por edhe për Bundesligën dhe për Gjermaninë. Mendoj se tifozëve anglezë të futbollit do t’u mungojë Herri Kejn në Premier Ligë, sepse ai po shënon në mënyrë fantastike. Është një rekord i ri në historinë e Gjermanisë. Unë jam pak i befasuar se sa gola ka shënuar. Ai luan pak më ndryshe dhe nuk është qendërsulmuesi klasik.
Ndërsa Xhud Bellingam te Borusia e Dortmundit ishte një lider. Dhe për moshën e tij të re është shumë presion mbi supet e tua. Ekipet e tjera mund të mendonin se nëse i hiqnin Bellingamin, atëherë Dortmundi ishte vetëm 50 për qind. Por te Reali i Madridit, nëse Bellingami zëvendësohet, atëherë ata kanë shtatë ose tetë lojtarë të tjerë që kanë një cilësi të ngjashme me anglezin, por në një mënyrë tjetër. Kështu që ndoshta është me e lehtë për të që të luajë te Reali i Madridit sesa në Dortmund, sepse shokët e skuadrës aty e bëjnë më të mirë.
Sigurisht, Anglia ka lojtarë të jashtëzakonshëm, futbollistë të shpejtë, lojtarë të fortë, lojtarë teknikisht të mirë dhe janë gjithmonë një ekip që është favorit për të fituar turnetë. Me Herri Kejnin në këtë formë dhe Bellingamin gjithashtu, siç po luan në 12 muajt e fundit dhe jo vetëm për Realin, pasi luajti një Botëror shumë të mirë në Katar, unë mendoj se Anglia ka një ekip që është një nga favoritët për të ardhmen. Unë fitova me Gjermaninë në Botërorin 1990 dhe ajo ishte ndoshta skuadra më e mirë me të cilën kam luajtur. Dhe jo vetëm për cilësinë, por edhe për mentalitetin.
Respekti në ekip mes njëri-tjetrit ishte ndoshta gjëja kryesore që na dha një Botëror pas katër javësh në atë turne. Ne kishim 23 lojtarë dhe askush nuk kishte asgjë kundër njëri-tjetrit. Ishte vërtet një frymë e mirë skuadre. Kur je për një kohë kaq gjatë në një turne, të duhej shpirt i mirë grupi nga të gjithë lojtarët, jo vetëm në ndeshjen e parë. Kjo është paksa tipike gjermane.