Barcelona kaloi me lehtësi Dortmundin (4-0) në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke konfirmuar ecurinë e saj mbresëlënëse në kompeticionin kryesor evropian këtë sezon.
Pa e ditur ende se cila do ta fitojë turneun, skuadra e Barçës së Hansi Flik tashmë po fiton respekt dhe admirim universal në të gjithë botën e futbollit për lojën dhe rezultatet e saj. Një shembull i mirë i kësaj është dhënë orët e fundit nga ish-lojtari i kombëtares gjermane, Lotar Mateus në rolin e komentuesit.
Për Mateusin, Barça që Flik po ndërton në sezonin e tij të parë në krye të klubit blaugrana mund të jetë diçka novatore në futbollin modern. Mateus parashikoi një të ardhme të artë për Barcelonën.
“Unë shoh një epokë që Barça tashmë ka nisur të shkruajë”, tha Mateus të enjten në një event të “Sky Deutschland” në Mynih. Për këtë gjë, Mateus ia faturon suksesin trajnerit Flik. “Hansi ka luajtur gjithmonë futboll tërheqës, ai është mbresëlënës”, përsëriti Mateus, duke kujtuar gjashtë trofetë e Flik në krye të Bajernit të Mynihut në vitin 2020.
PANORAMASPORT.AL