Vincent Kompany reagoi pas një pyetjeje për Tom Bischof, mesfushorin 21-vjeçar të Bayern Munich, i cili spikati së fundmi me kombëtaren gjermane, së bashku me shokun e skuadrës Aleksandar Pavlović. Kjo ka ngritur pikëpyetje për minutat e pakta që Bischof po merr në Mynih; vetëm 205 nga 630 minutat e mundshme në këtë fillim sezoni, për shkak të konkurrencës me Joshua Kimmich dhe Pavlović.
Trajneri belg iu përgjigj pyetjes me një monolog rreth tre minuta e gjysmë, duke e cilësuar aktivizimin e Bischof si “normal” për këtë fazë të sezonit: “Kombëtarja nuk luan asnjë rol në vendimet e mia për formacionin titullar. Jam absolutisht i kënaqur kur lojtarët kthehen me ndjesi pozitive. Ky është një faktor që e marr parasysh, sepse dua që djemtë të ndihen mirë”.
Në fund, tekniku i Bayernit bëri edhe një batutë për lojtarët që kthehen të zhgënjyer nga kombëtaret. “Ata mund ta lënë pas zhgënjimin dhe të rikthehen duke kujtuar ndeshjen e fundit me Bayernin; fitoren 7-0 në shtëpi, ku të gjithë zhvilluan një paraqitje të jashtëzakonshme”, – tha ai, duke iu referuar suksesit ndaj Union Berlin para ndërprerjes së kampionatit.