Tuesday, 31. March 2026
Sport

Komunat mobilizohen për ndeshjen Kosovë – Turqi, disa prej tyre organizojnë transmetime publike

GS 31/03/2026 3 Min. Lesezeit

Në prag të përballjes së shumëpritur ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, qytete të ndryshme të vendit kanë ndërmarrë iniciativa për t’ua mundësuar qytetarëve ndjekjen e ndeshjes në hapësira publike, duke krijuar atmosferë mbështetëse për ekipin kombëtar.

Sipas të dhënave të siguruara,12 komuna të Kosovës kanë konfirmuar organizimin e transmetimeve në sheshe apo ambiente të përbashkëta, ndërsa disa të tjera ende nuk kanë marrë vendim përfundimtar.

Në Ferizaj, është vendosur një ekran LED në sheshin “Adem Jashari”, ku pritet grumbullim i madh i qytetarëve. Në Drenas, ndeshja do të transmetohet në sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, ndërsa në Gjilan është njoftuar se qytetarët do ta ndjekin lojën nga sheshi “Agim Ramadani”.Ndërkohë, në Deçan organizimi është bërë nga qendra rinore në Deçan.

Në Junik, organizatorët kanë bërë të ditur se “Transmetimi do të bëhet Live në Sallën e Kuvendit të Komunës, ku të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur të ndjekin këtë përballje të rëndësishme”. Një organizim i ngjashëm është paraparë edhe në Kaçanik, ku ndeshja do të transmetohet në ekran të madh në palestrën sportive, si dhe në Kamenicë, ku qytetarët do të mblidhen në palestrën e qytetit.

Edhe qytete të tjera si Prizreni, Vushtrria, Mitrovica, Obiliqi dhe Prishtina kanë konfirmuar organizime për ndjekjen publike të ndeshjes, duke pritur një pjesëmarrje të madhe të tifozëve.

Sipas burimeve të komunave, në Dragash, Hani i Elezit, Podujevë, Rahovec dhe Malishevë nuk ka organizim deri më tani, ndërsa në Skenderaj është bërë e ditur se ende nuk ka një vendim konkret. Ndërkaq në Pejë dhe Istog, sipas burimeve nga këto dy komuna, organizimi mbetet i kushtëzuar nga kushtet atmosferike.

Ndërkohë KosovaPress ka tentuar të kontaktoj edhe me komunat Fushë Kosovë, Shtime, Gjakovë, Klinë dhe Lipjan, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje zyrtare.

Ndërkaq Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama ka ftuar kryetarët e komunave që të organizojnë vendosjen e ekraneve të mëdha në sheshet e qyteteve të tyre në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë mundësinë të përjetojnë këtë natë simbolike për Kosovën

Gjithashtu Rama dje ka njoftuar se me rastin e zhvillimit të ndeshjes Kosovë – Turqi dhe rritjes së kërkesës për qarkullim, në bashkëpunim me Trafikun Urban me 31 mars dhe 1 Prill, nisjet e linjës 1A Aeroport – Prishtinë dhe anasjelltas do të jetë çdo një orë nga 6:00 – 24:00 për shkak të lehtësimit të qytetarëve që vijnë të shohin këtë ndeshje.

Teilen: