Ibrahima Konaté ka qenë polemik me gazetarët pas ndeshjes që Liverpool humbi në Paris. Fakti që Ligue 1 për herë të dytë këtë sezon shtyn ndeshjet në kampionat me qëllim që PSG të pushojë sa më shumë është një praktikë për t’u ndjekur sipas mbrojtësit francez.
“Kjo është hera e dytë radhazi që PSG mes ndeshjeve që ka me ne në Champions bën pushim në kampionat. Edhe vitin e kaluar ata ndoqën të njëjtën praktikë. Uroj që edhe Premier League të bëjë të njëjtën gjë. Nga njëra anë jam i lumtur për PSG-në. Mendoj se Ligue 1 po u jep një dorë që të arrijnë diçka në Champions”, tha Konaté.
Siç dihet ndeshja mes Lens dhe PSG, e programuar për t’u mbajtur më 11 prill, është shtyrë më 13 maj. Këtë sezon është hera e dytë që PSG favorizohet nga Ligue 1 pasi pak javë më parë ka shtyrë edhe ndeshjen mes PSG dhe Nantes pasi ishte programuar që të luhej mes dy takimeve që ekipi francez do të ndeshjej me Chelsea-n.