Skuadra e Mallorcas do të jetë pa sulmuesin Vedat Muriqi për një ndeshje, kanë konfirmuar të enjten mediumet spanjolle.
Muriqi është pezulluar me një ndeshje nga Komiteti Disiplinor për shkak të ndëshkimit me karton të kuq kundër Barcelonës.
Sulmuesi i Kosovës vikendin e shkuar, në humbjen e Mallorcas 4:0 në xhiron e parë të La Ligas, u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 39-të për ndërhyrje të ashpër.
Shkaku i këtij ndëshkimi dhe pezullimit, Muriqi nuk do të luajë në ndeshjen e radhës, që Mallorca e luan në shtëpi kundër Celta Vigos, të shtunën.
Megjithatë, te Mallorca në këtë përballje pritet të debutojë mbrojtësi Marash Kumbulla, i cili ditë më parë iu bashkua ekipit nga La Liga.