Konflikti mes Kilian Mbape dhe PSG-së nuk duket se ka fund dhe palët po përballen vazhdimisht me akuza e kundërakuza në gjyqin ku kërkohen dëmshpërblime marramendëse nga një anë dhe tjetra.
Në fillim mendohej se Mbape kërkonte nga PSG rreth 55 milionë euro pagesa të prapambetura, por tashmë mësohet se shifrat janë shumë më të larta.
Sipas “Le Parisien”, në seancën e sotme gjyqësore, përfaqësuesit e lojtarit kanë kërkuar 240 milionë euro dëmshpërblim, ndërsa nga ana tjetër, PSG ka kërkuar 180 milionë euro dëmshpërblim.
Pala e lojtarit pretendon se PSG nuk ka respektuar akordet dhe kjo shumë parashikon pagesën e tre muajve rrogë të pashlyera, plus premio për firmën në marrëveshjen e mëparshme me klubin apo bonuse të tjera që nuk janë dëmshpërblyer.
Nga ana tjetër, PSG pretendon se Mbape ka gënjyer duke pretenduar se nuk do të largohej me parametër zero, siç ndodhi në verën e vitit 2024.
Ata nxjerrin si argumentim këtë pas bisedës që kishin bërë me lojtarin kur ai refuzoi një ofertë prej 300 milionë eurosh nga Al Hilal në Arabinë Saudite.


