Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konkursin ndërkombëtar për rijetëzimin e pallatit të Sporteve “Asllan Rusi” në Tiranë. Në fjalën e tij, Rama theksoi se ky projekt synon të ringjallë një nga hapësirat më ikonike sportive të vendit, duke e kthyer atë në një qendër moderne për gara dhe aktivitete ndërkombëtare.
“Në sallë shoh disa nga protagonistët e mëdhenj të kohës kur pallati i Sportit gëlonte nga kompeticioni, nga shpirti i garës, nga tifozët dhe kam shumë besim që me këtë projekt do të rikthejmë ata, por do të rikthejmë edhe pikërisht atë frymë dhe atë energji të pazëvendësueshme të hapësirës së ‘Asllan Rusit’ ku jam shpresëplotë se e gjithë lëvizja e re sportive që kemi krijuar në të gjitha shkollat dhe po rritet vit pas viti me pjesëmarrjen e mbi 12 mijë fëmijëve, vajzave dhe djemve nën kujdesin e Komitetit Olimpik Shqiptar do të furnizojë këtë pallat sporti me prurje të reja dhe me talente dhe yje të reja”, theksoi Rama.
Ai vuri në dukje më tej se Shqipëria synon të rrisë nivelin e pjesëmarrjes në kompeticionet ndërkombëtare.
“Nga ana tjetër, Shqipëria sot synon shumë lart edhe në aspektin e pjesëmarrjes në kompeticionet ndërkombëtare. Zhvillimi i finales së Konferencë Ligës në futboll ishte një kulminacion i një larmie aktivitetesh ndërkombëtare që zhvillohen në Shqipëri dhe synimi për të luajtur në Shqipëri finalet e Kupës së Kampioneve të Evropës, apo Super Kupës Evropiane, edhe në volejboll apo edhe në basketboll nuk është i paarritshëm. Ndërkohë që ne kemi pasur kontakt me federatat ndërkombëtare dhe jemi interesuar edhe për kapacitetet. Ky projekt, ky pallat sporti që shpresoj që ta realizojmë në një kohë të arsyeshme, do të na japë mundësinë që të kemi një kandidaturë shumë të besueshme të Shqipërisë për të pasur këtu ndeshje apo finale të atyre niveleve më të larta evropiane”, u shpreh ai.
/rtsh.al/