Milani do të mbërrijë në fund të kampionatit me Piolin, i cili do të përshëndetet me shumë përzemërsi. Më pas, kur të ketë marrëveshje të plotë për emrin e trajnerit të ri (Furlani, Monkada, Ibrahimoviç dhe mbi të gjitha Kardinale), do të bëhet një komunikim zyrtar. Ndërkohë, pasardhësi kryesor në pankinën e “Djallit” duket se do të ketë imazhin e Serxho Konseisaos.
Presidenti i Portos, Andre Vilash-Boash do të donte të zgjidhte njeriun e tij, jo Konseisaon që kishte përqafuar kauzën e ish-kreut Pinto Da Koshta, rivalit të tij në zgjedhjet për kryesinë e klubit. Por ai gjithashtu nuk do të donte të prezantohej me një zgjedhje jopopullore: Konseisao është i dashur nga tifozët e Portos. Ai qëndron në stol që nga viti 2017 dhe ka fituar tre kampionate portugeze, tri kupa portugeze, tri Superkupa portugeze dhe një Kupë të Ligës së Portugalisë.
Në të njëjtën mënyrë, është e vështirë për të që të dëshirojë të marrë përgjegjësinë për një divorc. Konseisao nuk dëshiron të zhgënjejë publikun, por vazhdon të ketë Milanin në kokën e tij dhe shpreson të kthehet në “San Siro” si trajner pasi ka luajtur për disa sezone me Interin. Sot me Porton ai ka sigurinë e një kontrate të vlefshme deri në verën e vitit 2028, nga e cila ka të drejtë të çlirohet edhe pa miratimin e klubit. Si përfundim, askush nuk ka dëshirë të bëjë hapin e parë, ndoshta as Milani, megjithatë Konseisao është sot i pari në listë, por jo i vetmi, mes kandidatëve të njohur dhe ende top sekret. Nxitimi nuk është qëllimi i klubit që në orët e fundit ka shtuar zërat për një punësim të Marko Rozes. Trajneri i Lajpcigut vlerësohet shumë e për më tepër mund të ndihmonte në blerjen e Benjamin Sheshkos.
ALTERNATIVA – Tiago Mota ka vlerësimin e drejtuesve të “Djallit”, por aktualisht Juvja duket e avantazhuar për shërbimet e tij, teksa ka perënduar thuajse përfundimit pista Van Bomel, i preferuari i Ibrës. Edhe De Zerbi po monitorohet fuqishëm, por 14 milionët që duhen derdhur në arkat e Brajtonit për ta marrë konsiderohen të tepërta. Edhe pse pëlqehet shumë, në listë nuk figuron Antonio Konte që mes kërkesave të pagës dhe objektivave në merkaton, do të përfaqësonte një kandidat të papërballueshëm financiarisht nga kuqezinjtë që investimet madhore duan t’i fokusojnë në merkato me lojtarë të pasur me talent e kosto të përmbajtur.
PANORAMASPORT.AL