Alesandro Bastoni rikthehet të flasë edhe një herë tjetër për finalen e humbur në Stamboll, pavarësisht se thotë që ajo ndeshje i krijon ankth dhe nuk i ka parë më rastet.Çfarë do të donit t’i vidhnit basketbollit?
Ndoshta faktin që nuk kanë shumë presion. Sigurisht që në sport ekziston presioni, por ata bëjnë një jetë më normale. Mund të dalin në sheshe apo të pinë kafe si të tjerët. Në futboll është ndryshe, sepse marrim shumë komente negative.
Ju jeni djali i një futbollisti, ndoshta pak e dinë…
Në shtëpinë time shikohet futboll 24 orë në ditë. Gjithmonë ka qenë kështu. Im atë ka luajtur deri në ekipin U-21 të kombëtares, por edhe një vit në Serinë B me Kremonezen. Por, për shumë motive nuk ia ka dalë të jetë i rëndësishëm. Kështu që është kujdesur shumë për mua si një diamant. Më ka mbrojtur që të mos bëja gabimet që ka bërë ai.
Kur nisët ta merrni seriozisht futbollin?
Kur debutova me Atalantën dhe isha vetëm 17 vjeç. Nuk isha shumë i sigurt nëse do të isha futbollist, sepse njëkohësisht po bëja edhe shkollën. Nuk e ke kurrë sigurinë që do t’ia dalësh, sepse duhet të kombinohen shumë gjëra. Ka shumë faktorë që ndikojnë në karrierën e një lojtari. E kuptova 2 vite më vonë, kur u transferova te Parma që futbolli ishte rruga ime.
Çfarë do të thotë të luash në Milano?
Është një përgjegjësi e madhe, ngaqë duhet të përfaqësosh të gjithë qytetin dhe tifozët. Luan në një skuadër ku barazimi nuk lejohet, ku duhet të luash gjithmonë për fitore. Dhe pastaj kur vjen derbi, bëhet gjithçka magjike.
Është derbi ndeshja që prisni më shumë?
Po. Sepse në shumicën e rasteve kjo ndeshje luhet për diçka madhështore. Ka ndodhur edhe së fundmi të luajmë për Kupën e Italisë, apo për të kaluar ture në Champions.
Kur e mësuat që mund të transferoheshit tek Interi?
E kam mësuar përpara sesa të shkoja në huazim te Parma. Në një autogrill takova menaxherin tim dhe më tha: Do të shkosh tek Interi? I thashë menjëherë që po. Por, nuk prisja që të shkoja menjëherë. Tek Atalanta po luaja pak dhe kam bërë një sezon të mirë te Parma. Kur u riktheva ishte Konte. Kishte shumë lojtarë të fortë si Shkrinjar, De Vraj dhe Godin. Mendoja që nuk do të luaja kurrë.
Çfarë ka parë Konte te ju që i ka pëlqyer shumë?
Ai është i fiksuar pas futbollit dhe jam i bindur që i ka parë të gjitha ndeshjet e mia te Parma. Ka parë kualitetin, që në atë moment i mungonte skuadrës së Interit. E dinte edhe ai që në fillim nuk isha gati absolutisht. Por, pati guxim për të më besuar.
Si e keni përjetuar finalen e Champions-it në vitin 2023?
E përjetova shumë keq, tmerrësisht keq. E ke të vështirë që të flesh, sepse të kujtohen aksionet e ndeshjes. Nuk e di nëse do të luash sërish një tjetër finale të Champions-it. Më mirë të humbnim 10-0 sesa ashtu siç humbëm ne. Nuk i kam parë më rastet e asaj ndeshjeje, sepse do të nervozohesha shumë. Më kap një trishtim i madh. Shpresoj që këtë herë të triumfojmë dhe të shkojë ndryshe.
Cilat janë emocionet më të bukura të përjetuara në karrierë?
Sipas meje, fitorja e fundit e titullit kampion në derbi nuk ka të paguar. Por, gjithashtu edhe fitoren e Europianit në “Uembli”. Në titullin kampion që fituam me Konten ishte COVID-i dhe nuk festuam dot.
PANORAMASPORT.AL