Vetëm pak orë pas deklaratës së Paolo Skaronit se ai është presidenti i të vetmes skuadër në Milano ka ardhur përgjigjja e homologut të tij, Bepe Marota.
Numri një i zikaltërve e ka thumbuar duke thënë se kravata e tij ka 2 yje, ndërsa Skaroni ka për qëllim që të ngrejë sa më shumë figurën e Milanit. Marota foli gjithashtu edhe për Konten, për të cilin tha se ka qëllime kur bën deklarata mbi arbitrat.
Çfarë mendoni për penalltinë që iu akordua Interit kundër Napolit pasi Antonio Konte shpërtheu pas ndeshjes që VAR-i duhet të ndihmonte arbitrin?
Unë mendoj se me teknologjinë përmirësohen situatat në kuptimin që zvogëlohen sa më shumë gabimet. Nëse duhet të flas për atë që ndodhi të dielën dhe deklaratës së Kontes, i cili është një komunikues i zoti dhe ka qëllimet dhe objektivat e veta kur flet, duhet të them që arbitri ishte shumë afër aksionit dhe sigurisht që kontakti fizik ekzistonte në atë moment. Këmba e Dumfrisit u spostua dhe për mua ishte penallti. Nëse duhet të flasim për ndërhyrjen e VAR-it është një debat shumë interesant që bëhet për të ndihmuar futbollin. Për fatin tonë të keq ai episod nuk ishte vendimtar sepse e humbëm penalltinë, por e theksoj që nëse ka diçka për të folur është fakti që duhet folur për aplikimin e VAR-it dhe protokollin e tij. Por unë mendoj që arbitri në fushë duhet të jetë me pushtet të plotë për vendimet. Ajo penallti ishte e pastër dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë.
Çfarë mendimi ke për ecurinë e Interit në Champions dhe në kampionat? Pse duket sikur skuadra është me dy fytyra?
Mendoj që në Champions jemi duke bërë performanca të shkëlqyera dhe kemi arritur fitore të rëndësishme. Në kampionat jemi vetëm një pikë larg kreut të klasifikimit, por edhe vitin e kaluar ne ishim në situata të tilla dhe afër me rivalët. Tani është Napoli përpara, por ajo që ndryshon në krahasim me sezonin e kaluar është fakti që janë disa skuadra që do të luftojnë dhe kanë zënë vendet e para. Kjo është një riri në kampionatin italian. Është një rrugë e gjatë dhe ka shumë pikë në dispozicionin e të gjitha skuadrave. Për momentin, e rëndësishme është që të qëndrojmë afër me kreun dhe pastaj muaji janar dhe shkurt do të jenë shumë vendimtarë.
Pse ka diferencë mes performancave?
Unë nuk mendoj kështu. Thjesht rezultatet kanë qenë të tilla. Por Interi nuk duhet të zgjedhë mes Championsit dhe kampionatit. Ne duhet të bëjmë më të mirën në të dyja kompeticionet për të shkuar sa më larg të jetë e mundur dhe pastaj të bëjmë llogaritë.
Cila është skuadra që ju ka impresionuar më shumë?
Nëse duhet të analizojmë ecurinë e deritanishme mund të them Atalanta, Fiorentina dhe Lacio. Kanë bërë shumë mirë dhe i kanë befasuar të gjithë me pikët e grumbulluara.
Skaroni ka thënë se ai është presidenti i skuadrës së vetme të Milanos…
Duhet ta pyesim në çfarë kuptimi e ka thënë këtë. Nëse skuadra e vetme e Milanos prezantohet nga ai, atëherë ne përfaqësojmë diçka më të rëndësishme dhe me superiore. Por nuk jam këtu për të bërë polemika. Paolo është miku im dhe me të drejtë secili nga ne kërkon që të përfaqësojë sa më mirë klubin e tij. Unë kam kravatën me dy yje. Shpresoj që ta ketë edhe ai sa më shpejt.
A do të bëjë Interi merkato në janar dhe nëse po, cilat janë repartet ku keni nevojë?
Nuk mendoj që do të bëjmë ndërhyrje sepse organika e Interit është e plotë dhe e pasur me lojtarë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL