Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi në fjalën e mbajtur në takimin me përfaqësues të kompanive të mëdha ndërkombëtare vuri theksin te zhvillimi i transportit hekurudhor, me qëllim kthimin e hekurudhës shqiptare në një komponent funksional të sistemit kombëtar të transportit. Karakaçi theksoi se bëhet fjalë për Kontratën e Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve në korridorin Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit, duke deklaruar se ky projekt tashmë është pjesë e një vizioni të gjerë për rivitalizimin dhe modernizimin e sektorit hekurudhor.
Ministri deklaroi se projekti i linjës Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin e tyre. Ai bëri me dije se punimet për rehabilitimin dhe stacionet janë drejt përfundimit dhe se elektrifikimi pritet të mbyllet brenda vitit të ardhshëm.
“Tashmë projekti Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit është pjesë e një vizioni të gjerë për rivitalizimin dhe modernizimin e sektorit hekurudhor, dhe për ta kthyer hekurudhën shqiptare në një komponent funksional të sistemit kombëtar të transportit. E vërteta është se ky është një sektor ku ne kemi pasur shpesh shumë mangësi, në pjesën më të madhe sigurisht të trashëguara, por edhe për shkak të vështirësive që lidhen kryesisht me mundësitë e financimit të një sektori, që në gjitha botën kërkon fonde shumë të mëdha.
Gjithsesi vitet e fundit kanë shënuar një ndryshim rrënjësor edhe në këtë sektor. Shqipëria është duke ndërtuar një program të gjerë investimesh që synon të rikthejë dhe modernizojë rrjetin hekurudhor, duke e integruar gradualisht me rrjetet rajonale dhe evropiane. Projekti i linjës Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin e tyre. Punimet për rehabilitimin dhe stacionet tashmë janë drejt përfundimit dhe komponenti i fundit i këtij projekti, elektrifikimi, parashikohet që të mbyllet brenda vitit 2027”, deklaroi ai.
Kakaraçi shtoi se përpos projektit Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit, po rehabilitohet gjithashtu dhe linja Vorë-Hani i Hotit si pjesë e lidhjes Shqipëri-Mali i Zi dhe rrjetit evropian.
“Projekti është bashkëfinancuar nga EBRD, EIB dhe Bashkimi Evropian, ndërsa vlerësimi i ofertave tashmë është në fazën përfundimtare dhe ne presim për shpalljen e fituesit brenda këtij viti”, tha ai teksa sqaroi se procesi i vlerësimit të ofertave është në fazën përfundimtare dhe se pritet që brenda 2026-ës të shpallet fituesi.
Sakaq, një tjetër projekt, që do të marrë jetë është dhe projekti Rrogozhinë-Pogradec, vijim i linjës hekurudhore të Korridorit 8.
“Në të njëjtën kohë, po përgatitet edhe projekti Rrogozhinë-Pogradec, që është vijimi i kësaj linje hekurudhore të Korridorit VIII dhe po zhvillohet projekti për rehabilitimin e linjës Rrogozhinë-Fier-Vlorë, së bashku me lidhjen hekurudhore për Aeroportin e Vlorës. Në fokus kemi gjithashtu dhe linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, të cilën bashkë me Agjencinë Franceze të Zhvillimit po përpiqemi që të bëjmë një projekt të detajuar teknik. Dhe krahas transportit të udhëtarëve, po ndërtojmë edhe lidhjet e nevojshme për transportin e mallrave.
Lidhja Sukth-Porto Romano do të krijojë lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore me portin e ri në Porto Romano dhe do të forcojë lidhjen ndërmodale ndërmjet hekurudhës dhe transportit detar”, theksoi ministri.
/rtsh.al/