Interi është duke përgatitur një “rokadë” në sulm. Joakin Korrea është shumë pranë transferimit në kampionatin francez te skuadra e Marsejës.
Nga raportimet e fundit, duket se palët kanë arritur akordin për një huazim me të drejtë blerje të argjentinasit. Marrëveshja pritet të konkludohet të enjten, teksa largimi i Korreas hap derën për rikthimin e Aleksi Sançez, që u rilind në Marsejë sezonin e kaluar.
Sançez do të mbushë 35 vjeç, por ai e njeh mirë mjedisin, ka talent, përvojë ndërkombëtare dhe dëshirë për të vazhduar të luajë në Champions League dhe të luftojë për fitimin e titullit.
Vitin e kaluar kiliani regjistroi 44 paraqitje me fanellën e Marsejës, të pasuruara me 18 gola dhe 3 asistime , duke konfirmuar faktin se karriera e tij ende nuk ka hyrë në rrugëtimin e muzgut. Inzaghi e sheh Sançezin si njeriun ideal për të kompletuar sulmin dhe për të garantuar sasinë e golave që Korrea ka shënuar me pikatore në dy sezonet e fundit. Kiliani është lojtar i lirë pas aventurës 1 vjeçare me Marsejën dhe duket se ka bërë gati valixhet për rikthimin në Milano.
PANORAMASPORT.AL