Përfaqësuesja e Kosovës ka bërë mrekullinë në Goteborg duke mundur Suedinë me rezultatin 1-0. Në “Ullevi Stadium” gjithçka u vendos nga një gol i Fisnik Asllanit i shënuar në minutën e 32-të.
Të besuarit e trajnerit Foda, pas golit të Asllanit, goditën edhe shtyllën me anë të Avdullahut. Më pas arritën të përballojnë me sukses presionin e suedezëve, me një lojë të mirë në fazën mbrojtëse.
Me këtë fitore, “Dardanët” kanë hedhur një hap shumë të rëndësishëm në Grupin B të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026. 7 pikë dhe vendi i dytë në klasifikim, duke “blinduar” mundësinë për në fazën e play off.
Vendi i parë mbahet nga Zvicra me 10 pikë, ndjekur nga Kosova me 7 dhe Sllovenia me 3, ndërsa në vendin e fundit është Suedia me 1 pikë.