Wednesday, 29. July 2026
Sport

​Kosova debuton për herë të parë në Baseball5 në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

GS 29/07/2026 2 Min. Lesezeit

Federata e Bejsbollit dhe Softbollit e Kosovës ka publikuar listën e tetë sportistëve që do ta përfaqësojnë vendin në garën e Baseball5 në kuadër të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku Kosova do të bëjë debutimin e saj ndërkombëtar në këtë disiplinë urbane të WBSC-së.

Përfaqësuesja përbëhet nga një kombinim i lojtarëve me përvojë në garat ndërkombëtare dhe talenteve të reja, duke reflektuar zhvillimin e shpejtë të Baseball5 në Kosovë.

Në ekipin e vajzave janë përfshirë Vileza Zeqiri, Dafinë Gashi, Delvinë Hajdari dhe Doresa Gashi, ndërsa për ekipin e meshkujve do të garojnë Islam Thaçi, Etnor Dugolli, Lekë Juniku dhe Tefik Sallahu.

Pjesëmarrja në “Taranto 2026” konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në investimin e vazhdueshëm të Kosovës në Baseball5, duke u ofruar sportistëve mundësinë të masin forcat me disa prej përfaqësueseve më të forta të rajonit mesdhetar.

Po ashtu, ky turne do të shërbejë si përgatitje e vlefshme për garat e ardhshme të Konfederatës Botërore të Bejsbollit dhe Softbollit, si dhe për edicionin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, të cilat do të organizohen në Prishtinë.

Në fazën e grupeve, Kosova bën pjesë në Grupin B së bashku me Spanjën, Italinë dhe Tunizinë. Përfaqësuesja kosovare do ta nisë garën më 29 korrik me ndeshjen ndaj Spanjës, ndërsa më 30 korrik do të përballet me Italinë, vendin mikpritës, dhe Tunizinë, kampione të Afrikës, me synimin për të siguruar një vend në fazën me eliminim direkt.

Turneu i Baseball5 zhvillohet nga 29 korriku deri më 2 gusht dhe shënon debutimin e kësaj disipline në programin e Lojërave Mesdhetare. Në garë marrin pjesë tetë kombëtare të ndara në dy grupe me nga katër ekipe. Fituesit e grupeve avancojnë direkt në gjysmëfinale, ndërsa ekipet e renditura në vendin e dytë dhe të tretë do të luajnë në çerekfinale./Lajmi.net/

Teilen: