Friday, 23. October 2026
Sport

Kosova gati për ndeshjet ndaj Estonisë

GS 23/10/2026 2 Min. Lesezeit

Hendbollistet e Kosovës e kanë kaluar me sukses dy herë raundin e parë kualifikues të Kampionatit Botëror. Synojnë ta kalojnë me sukses për herë të tretë rresht. Për ta kaluar me sukses Estoninë, “Dardanet” kanë bërë thirrje për përkrahje nga shikuesit.

Ndeshjet ndaj Estonisë, Kosova i zhvillon në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Duelin e parë ndaj estonezeve e luan të premten prej orës 20:00, ndërsa të shtunën nga ora 17:00.
Kombëtarja më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon në raundin e fundit kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Kosova në dy kampanjat e kaluara e mbylli me sukses raundin e parë kualifikues. Për Botërorin 2023, Kombëtarja Dardane e mposhti atë të Ishujve Faroe, por në raundin e dytë kualifikues u eliminua nga Polonia.
Për Botërorin 2025, raundi i parë kualifikues ishte me fazë grupore, të cilin Kosova e kaloi me sukses por sërish në fazën e dytë u eliminua, kësaj radhe nga Suedia.

Thirrje për përkrahje bënë të mërkurën edhe përzgjedhësi Nenad Shoshtariq dhe hendbollistja Yllka Shatri.
Kosova i nisi përgatitjet të hënën ndërsa mbajtur edhe një kamp përgatitor në fund të muajit të kaluar.
Kosova u paraqit së fundi në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, por pa hendbollistet kryesore. I munguan shumica e lojtareve seniore. Ndaj Estonisë do të paraqitet me përbërjen më të mirë. Tek Estonia kanë pranuar se Kosova është favorite.

Trajneri i ekipit kombëtar estonez, Ergo Rohi, ka theksuar se nuk kishin fat në short. Ai ka theksuar se do të aplikojnë lojë agresive në mbrojtje kundër Kosovës.

 

Teilen: