Me paraqitjen e dy sportisteve kosovare në not dhe atletikë të shtunën, ka përfunduar edhe pkesëmarrja e sportistëve nga Kosova në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Notarja 15-vjeçare, Hana Beiqi, ka debutuar të shtunën në Lojërat Olimpike.
Hana garoi paradite në 50 metra krol. U rendit e 43-ta me kohë prej 27:34 sekonda.
Në kualifikime në 50 metra krol u paraqitën 79 notare. Pra, prapa Hanës kanë mbetur plot 36 garuese.
Për herë të parë në garat olimpike të atletikës, në Lojërat e Parisit është përfshirë repesazhi, përkatësisht rasti i dytë për ata që nuk kualifikohen në tentimin e parë.
Dhe prej këtij ndryshimi “ka përfituar” edhe atletja kosovare, Gresa Bakraçi. Të premten mbrëma ajo ishte e fundit në kualifikime në vrapimin në 800 metra. Koha e saj ishte 2:13.29 minuta. Gresa nuk arriti as kohën më të mirë individuale e madje as më të mirën e vitit. Dallimi me vrapueset tjera në bateri ishte gati 100 metra.
Ndërkohë Gresa Bakraçi e kishte rastin në repesazh, të shtunën paradite. Sërish e përfundoi garimin e fundit, me kohë më të dobët se në vrapimin e parë.
Por ndërkohë është diskualifikuar.
Edhe Gresa Bakraqi por edhe Hana Beiqi në Paris kishin udhëtuar falë ftesës për universalitet.
Kosova në Olimpiadën e Parisit u prezantua me nëntë sportistë, gjashtë prej të cilëve me normë olimpike.
Falë dy xhudisteve Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu që fituan medalje olimpike, Kosova edhe në pjesëmarrjen e tretë në Lojërat Olimpike, u kthye suksesshëm e me medalje.