Sunday, 4. October 2026
Futboll

Kosova ndalet në barazim me Austrinë, “Dardanët” marrin vetëm një pikë në Prishtinë

GS 04/10/2026 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës është ndalur në një barazim me Austrinë, në përballjen e xhiros së katërt të Ligës B të Ligës së Kombeve.

“Dardanët” ishin në epërsi, por Austria, me një gol me fat, arriti ta marrë një pikë në Prishtinë, ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 1-1.

Përballja ishte tepër dramatike që nga minuta e parë, ku të dy kombëtaret kërkuan ta gjenin rrjetën.

Kosova rrezikoi me Vedat Muriqin dhe Veldin Hoxhën, mirëpo asnjëri prej tyre nuk arriti ta mposhtë portierin e Austrisë.

Ndërkohë, edhe Amir Shaipi bëri disa pritje të bukura për t’ua mohuar golin austriakëve.

Pjesa e dytë ishte shumë më e zjarrtë. Kosova e nisi fuqishëm, duke rrezikuar me Hoxhën, i cili kishte një mundësi të mirë me kokë, por goditja rezultoi të ishte qendrore.

Pas një aksioni të bukur, Edon Zhegrova asistoi për Fisnik Asllanin, i cili mposhti portierin mysafir për t’i dhënë epërsinë Kosovës në minutën e 70-të.

Vetëm tre minuta më vonë, Kosova kishte rastin për ta dyfishuar epërsinë, por Milot Rashica goditi shtyllën.

Kur askush nuk e priste, Austria ndërtoi një aksion përmes rivënies anësore, ku Kalajdzic asistoi te Lang, i cili shënoi me kokë për ta barazuar rezultatin në minutën e 85-të.

Kësisoj, Kosova ndalet në Prishtinë, ndërsa mbledh pesë pikë dhe mban pozitën e dytë, tri më pak se Austria. Në anën tjetër, Irlanda mund të ngjitet mbi Kosovën në rast se fiton ndaj Izraelit.

Kosova do të rikthehet në Prishtinë sërish më 14 nëntor, ku do ta presë Izraelin. Më pas, tri ditë më vonë, udhëton drejt Irlandës, ku do ta mbyllë ciklin e Ligës së Kombeve.

Teilen: