Kosova është vendosur në një grup të fortë në garën e basketbollit 3×3 të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku do të përballet me Serbinë, Turqinë dhe Portugalinë. Prania e Kosovës dhe Serbisë në të njëjtin grup ka tërhequr vëmendje të veçantë, pasi në kompeticionet e organizuara nga FIBA, zakonisht shmangen përballjet mes dy shteteve që në fazat e hershme të garës.
Për këtë situatë ka folur kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, i ftuar në emisionin SportCast, duke bërë të ditur se ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse shorti do të ndryshojë, por se nga ana e Kosovës nuk ekziston asnjë pengesë për zhvillimin e kësaj përballjeje.
“Nuk kemi konfirmim zyrtar. Ne kemi kërkuar përmes Komitetit tonë, kemi thënë që nëse ka diçka të re sa i përket shortit. Po të ishte garë e organizuar nga FIBA, Kosova me Serbinë nuk mund të luajnë në asnjë nivel. Domethënë, ka disa ndalesa, për shembull, Ukraina me Rusinë, apo Kosova me Serbinë s’mund të luajnë. Për të evituar çfarëdo konflikti potencial i cili mund të tejkalojë përmasat e terrenit. Duke qenë se ky është një organizim i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik të Lojërave Mesdhetare, nuk është që kanë ndonjë ndalesë të tillë për aq sa unë e di. Ne jemi duke u përgatitur. 3×3, ekipi ynë është i caktuar. Ne i kemi dhënë informatat në Komitetin Olimpik. Atje shkohet natyrisht me një ekip i cili shpresojmë që do të na shërbejë edhe për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 këtu. Kështu që po përpiqemi që të shkojmë me ekipe më të reja. Sa na përket neve, ne nuk kemi prej shtetit tonë ndonjë ndalesë për të luajtur kundër reprezentacionit të Serbisë. Nuk e di nëse kjo do të vlejë edhe për ata. Por ne jemi duke u përgatitur sa më mirë që mundemi, për këtë short i cili ka qenë, për ne, më i vështiri i mundshëm. Domethënë, ne të gjithë jemi duke u fokusuar veç tek Serbia si kundërshtar, por edhe dy kundërshtarët e tjerë i kemi të jashtëzakonshëm. Kështu që po përpiqemi të përgatitemi sa më mirë që mundemi”, theksoi Fetahu.
Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” do të nisin zyrtarisht më 21 gusht 2026 me ceremoninë hapëse, e cila do të zhvillohet në Stadiumin “Erasmo Iacovone” në Taranto, ndërsa garat sportive do të zhvillohen deri më 3 shtator 2026.
Në grup me Kosovën, përveç Serbisë janë edhe Portugalia dhe Turqia.