Tuesday, 29. September 2026
Futboll

Kosova përgatitet për Izraelin, Zabërgja dhe Avdyli: Është koha të rikthehemi te fitorja

GS 29/09/2026 3 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës po i zhvillon përgatitjet e fundit në Debrecen të Hungarisë për sfidën e radhës në Ligën e Kombeve ndaj Izraelit, e cila zhvillohet të enjten nga ora 20:45.

“Dardanët” kanë vazhduar sot me intensitet përgatitjet për këtë përballje, me përzgjedhësin Franco Foda që ka punuar me të gjithë futbollistët në dispozicion.

Portieri Arijanet Muriq, i cili pësoi lëndim në ndeshjen ndaj Austrisë në Vjenë, ka zhvilluar vetëm një stërvitje të lehtë nën përkujdesjen e trajnerit atletik.

Në kampin dardan mbizotëron optimizmi dhe fokusi është i plotë te sfida me Izraelin. Këtë e kanë konfirmuar edhe sulmuesit Baton Zabërgja dhe Milot Avdyli, të cilët besojnë se Kosova mund të rikthehet te fitorja.

Zabërgja ka vlerësuar atmosferën në skuadër dhe gjendjen fizike të futbollistëve, duke theksuar se ekipi është i gatshëm të japë maksimumin.

“Stërvitja shkoi mjaft mirë sepse i gjithë ekipi ishte në gjendje të mirë fizike dhe atmosfera është e mirë. Shpresojmë që në ndeshjen e ardhshme të japim maksimumin”, deklaroi Zabërgja për faqen zyrtare të FFK-së.

Sulmuesi kosovar bëri të ditur se kundërshtari është analizuar me kujdes dhe se skuadra e di se çfarë e pret në këtë përballje.

“Kemi analizuar Izraelin. Është kundërshtar i fortë dhe duhet t’i qasemi ndeshjes me përqendrim 100 për qind dhe në fund të arrijmë fitoren. Është koha të reflektojmë nga humbja e Austrisë në këtë grup dhe shpresoj në fitore”.

Në të njëjtën linjë është edhe Milot Avdyli. Ylli i Celjes theksoi se skuadra tashmë është kompletuar dhe po punon me përkushtim maksimal për ndeshjen e së enjtes.

“Stërvitja ka shkuar shumë mirë, tash jemi kompletuar të gjithë. Po përgatitemi për ndeshjen kundër Izraelit dhe po besoj që do ta japim maksimumin”.

Avdyli zbuloi gjithashtu se stafi teknik ka nisur analizën e kundërshtarit, të cilin e konsideron të vështirë, por beson se cilësia që posedon Kosova mund të bëjë diferencën.

“E kemi analizuar sot ndeshjen, besoj do ta analizojmë edhe nesër. Normal, shohim se është kundërshtar mjaft i vështirë, por me kualitetin që kemi do të arrijmë rezultat pozitiv”.

Mesazhi i Avdylit është i qartë, pas humbjes ndaj Austrisë, Kosova kërkon reagim dhe rikthim te fitorja.

“Tash është momenti me u rikthyer te fitorja dhe besoj që bashkërisht do t’ia dalim”.

Kosova do të kërkojë kështu pikët e plota ndaj Izraelit për të mbajtur gjallë objektivin e saj në Ligën e Kombeve. “Dardanët” tashmë kanë hyrë në fazën finale të përgatitjeve, me fokusin maksimal te sfida e së enjtes në Debrecen.

Përballja Izrael – Kosovë zhvillohet të enjten nga ora 20:45.

Teilen: