Saturday, 18. April 2026
Sport

Kosova përmbys Bullgarinë në “Fadil Vokrri”, “Dardanet” kryesojnë grupin me fitore dramatike

GS 18/04/2026 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra ka regjistruar një fitore të rëndësishme ndaj Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, Liga C.

Në përballjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, mysafiret kaluan të parat në avantazh me golin e Lora Petrovas në minutën e 42-të, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, në pjesën e dytë Kosova reagoi fuqishëm. Skuadra e drejtuar nga trajneri Sami Sermaxhaj dominoi lojën, duke regjistruar 12 goditje, tetë prej të cilave në kuadrat.

Barazimi erdhi në minutën e 51-të me anë të Blerta Smailit, ndërsa goli i fitores u realizua në sekondat e fundit të ndeshjes, kur Erëleta Memeti shënoi në minutën e 97-të për rezultatin përfundimtar 2:1.

Me këtë triumf, Kosova arkëton tri pikë të vlefshme dhe vazhdon të mbajë vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C me 12 pikë, tre më shumë se Kroacia në vendin e dytë. Bullgaria mbetet me katër pikë, ndërsa Gjibraltari është pa pikë.

Ndeshjet e radhës për Kosovën janë planifikuar në muajin qershor, ku më 5 qershor pret Kroacinë, ndërsa më 9 qershor do të përballet me Gjibraltarin në udhëtim./lajmi.net/

Teilen: