Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka konfirmuar se Andorra mund të jetë njëra prej kombëtareve që do të luajë ndaj Kosovës në miqësoret e qershorit.
Kosova e Andorra pritet të luajnë në mbrëmjen e 7 qershorit, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Më 7 qershor në Kosovë do të organizohen zgjedhjet e parakohshme, por kjo nuk do ta pengojë ndeshjen miqësore të “Dardanëve”.
Kreu i FFK-së ka shtuar se janë në bisedime edhe me 5 apo 6 kombëtare të tjera për miqësore, por nuk e ka përmendur se kush mund të jetë kundërshtarja tjetër e Kosovës.
Kosova në muajin mars ishte në prag të kualifikimit për Botërorin 2026. E fitoi gjysmëfinalen e plejofit ndaj Sllovakisë 4:3 në Bratislavë më 26 mars, por u mposht më 31 mars nga Turqia në Prishtinë, 1:0.
Pas miqësoreve të qershorit, Kosova në shtator e nis ciklin e ndeshjeve të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
Kosova e udhëhequr nga përzgjedhësi Franco Foda, u promovua për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe në grup është me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin.
Kosova pritet të luajë miqësore me Andorrën
Teilen: