Monday, 11. May 2026
Futboll

Kosova shkëlqen në Sofje,“Dardanet” përmbysin Bullgarinë dhe marshojnë drejt kreut

GS 14/04/2026 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka shënuar një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Bullgarinë me rezultat 3-1 në Sofje, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror.

Ndeshja nisi më mirë për vendaset, të cilat kaluan në epërsi që në minutën e 9-të me golin e Aleksandra Yanevës. Megjithatë, reagimi i “dardaneve” ishte i menjëhershëm dhe plot karakter. Kapitenia Erëleta Memeti barazoi shifrat në minutën e 15-të me një gol spektakolar direkt nga goditja e këndit.

Kosova vazhdoi me ritëm të lartë dhe vetëm gjashtë minuta më vonë arriti përmbysjen. Blerta Smaili realizoi një gol të bukur për 2-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Sami Sermaxhaj tregoi pjekuri dhe kontroll të lojës, duke menaxhuar avantazhin deri në fund. Fitorja u vulos në minutën e 89-të, kur Arjeta Fejza shënoi për 3-1, duke i dhënë goditjen përfundimtare vendasve.

Me këtë sukses, Kosova vazhdon formën e shkëlqyer në Grupin 2, duke regjistruar tri fitore në po aq ndeshje dhe duke u renditur në krye të tabelës me 9 pikë. Kroacia dhe Bullgaria kanë nga 3 pikë, ndërsa Gjibraltari mbetet pa asnjë pikë.

Edhe pse nga Liga C nuk sigurohet kualifikimi direkt për në Kampionatin Botëror, vendi i parë në grup mbetet objektivi kryesor, pasi garanton pjesëmarrjen në play-off dhe ngjitjen në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Teilen: