Kombëtarja U17 e Kosovës në konkurrencën e vajzave është nisur sot për në Shqipëri. Atje Dardanet do të përballen me Shqipërinë dhe Izraelin, në kuadër të ndeshjeve të raundit të parë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2025.
Për këto ndeshje kualifikuese, përzgjedhësja Sanije Krasniqi me 20 të ftuarat e saj ishin të grumbulluara që nga e diela, në Kampin Nacional në Hajvali. Ekipi përbëhet kryesisht nga futbollsite vendore, ndërsa vetëm 3 prej tyre vijnë nga jashtë vendit.
Përzgjedhësja Krasniqi tha se për këto kualifikime kanë filluar përgatitjet që një kohë të gjatë dhe beson se në Shqipëri do të tregojnë rezultate të mira:
“Me Shqipërinë jemi takuar edhe më herët, ndërsa me Izraelin është hera e parë. Të gjitha vajzat të cilat i kemi ftuar janë këtu me përjashtim të njërës e cila është lënduar dhe është dashur të zëvendësohet me një futbolliste, e cila ka qenë në listën rezervë. Grupi është i mirë, kemi punuar aty ku kemi qenë të vetëdijshme se duhet të përmirësohemi dhe besoj se jemi të gatshme për këto kualifikuese.
Që dy vite që marrim pjesë në gara në Ligën B jemi kualifikuar. Kemi punuar shumë me këto vajza edhe pse është gjenerata 2009, pra është grup i ri, por kemi pasur kampe gjatë verës dhe i kemi seleksionuar më të mirat. Me punën që e kemi bërë besoj se do të tregojmë loje dhe rezultate të mira në Shqipëri”, tha Krasniqi.
Atmosfera në kampin e Kosovës është tejet e mirë dhe Dardanet e reja janë gati për këtë aventurë. Ndonëse me Izraelin përballen për herë të parë, Olsa Maqastena thotë se ato do të hyjnë për fitore, pavarësisht kundërshtarit.
“Jemi duke kaluar shumë mirë, e kemi komponuar shumë mirë ekipin, jemi të bashkuara. Disa vajza që nuk kanë qenë këto ditë tashmë janë bashkuar, na kanë kuptuar shumë mirë. Sot e kemi bërë stërvitjen e parë komplet skuadra.
Shqipërinë e njohim si kundërshtar sepse kemi luajtur me grupmosha U16 dhe e dijmë se me kë kemi të bëjmë, ndërsa me Izraelin nuk jemi përballur dhe nuk kemi pasur shumë informacione për lojën e tyre, por ne hyjmë për të fituar pavarësisht kundërshtarit”, tha Olsa.
Edhe Lejla Murati e cila jeton dhe vepron në Zvicër, e që për herë të parë i është bashkuar Kosovës, shpreson në rezultate pozitive, derisa ndihet e lumtur që përfaqëson Kosovën:
“Ndihem shumë mirë këtu, të gjitha vajzat janë shumë të sjellshme, infrastruktura është e mirë e po ashtu edhe trajnerja. Jam shumë e lumtur të luaj për ekipin kombëtar dhe do ta jap më të mirën nga vetja”, tha Lejla.
Kosova ndeshjen e parë e zhvillon më 30 tetor ndaj Shqipërisë në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 14:00. Ndërsa me Izraelin përballet më 2 nëntor në stadiumin “Niko Dovana” në ora 11:30.
Dardanet janë pjesë e grupit të parë të Ligës B, bashkë me Shqipërinë dhe Izraelin.