Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll ka shënuar fitore ndaj Britanisë së Madhe, në kuadër të “Men’s 18 EHF Championship II”.
Kosova triumfoi me rezultat 24:22 në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Telavi të Gjeorgjisë.
Hendbollistët kosovarë e nisën ndeshjen në mënyrë të shkëlqyeshme, duke dominuar që nga minuta e parë. Pas 30 minutave lojë, Kosova kishte krijuar epërsi të madhe prej 10 golash, 15:5.
Në pjesën e dytë, përzgjedhësi kosovar u dha hapësirë të gjithë lojtarëve, ndërsa Britania e Madhe arriti ta ngushtojë disavantazhin. Megjithatë, Kosova nuk e rrezikoi fitoren dhe e mbylli ndeshjen me rezultat 24:22.
Arbian Thaqi ishte më efikasi te Kosova me shtatë gola, ndërsa nga katër gola shënuan Eltijon Hoxha dhe Dorart Ramadani.
Kombëtarja U18 e Kosovës të dielën do të zhvillojë ndeshjen për vendin e tretë në këtë garë.