Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e radhës në Kampin Nacional në Hajvali, duke vazhduar përgatitjet për ndeshjen hapëse në Ligën B të UEFA Nations League ndaj Irlandës.
Foda e ka bërë të qartë se objektivi i Kosovës është të hyjë në çdo ndeshje me synimin për të kërkuar fitoren. Në konferencën e fundit për media, ai theksoi se skuadra mezi po i pret sfidat e radhës dhe se përgatitjet do të jenë maksimale.
“Mezi po presim t’i luajmë katër ndeshjet e radhës. Çdo ndeshje keni dëshirë ta fitojmë”, deklaroi Foda, duke shtuar se, pavarësisht disa mungesave, ka besim të plotë te 27 futbollistët e grumbulluar.
Përballja me Irlandën do të jetë ndeshja e parë e Kosovës në Grupin B3 të Ligës së Kombeve. Takimi zhvillohet të enjten, më 24 shtator, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndërkohë, të mërkurën pritet të zhvillohen konferencat për media të të dyja kombëtareve, ndërsa Kosova dhe Irlanda do të mbajnë edhe stërvitjet e fundit para përballjes së së enjtes.
Kosova synon ta nisë me rezultat pozitiv aventurën e saj në Ligën B, ku në grup përballet edhe me Austrinë dhe Izraelin.