Komisari teknik i Kosovës, Franco Foda, ishte sot përballë gazetarëve për të prezantuar ndeshjen e fundit të skuadrës së tij në Nations League.
“Dardanët” do të luajnë nesër ndeshjen e fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, ku do të presin Lituaninë në “Fadil Vokrri”.
Në vigjilje të këtij takimi tekniku gjerman, u shpreh i kënaqur me paraqitjen ndaj Rumanisë dhe tha se fokusi tashmë është vetëm tek kundërshtari i nesërm.
“Nuk do të jetë problem. Ekipi ka luajtur shumë mirë në Rumani. Më e rëndësishmja është që ne jemi rikuperuar. Kemi mbërritur shumë vonë dhe tani po përgatitemi për lojën e ardhshme. Edhe pas ngjarjes së fundit në Rumani, kam vënë re se ekipi ka vetëbesim. Kemi treguar lojë të mirë në Bukuresht”, komentoi Foda.
Një tjetër argument i prekur nga trajneri për këtë ndeshje ka qenë edhe i të pezulluarve për shkak kartonësh. “Do të mungojnë Amir Rrahmani e Lumbardh Dellova. Këta dy lojtarë janë ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe nuk do të jenë të gatshëm për takimin e radhës përballë Lituanisë. Kemi opsione të mjaftueshme. Kemi Alitin, Hotin, Krasniqin dhe të tjerët”, tha Franco Foda.
Sa i përket vendimit të UEFA-s mbi fundin e ndeshjes që u ndërpre në Bukuresht, Foda tha: “Për mua s’ka rëndësi vendimi, por fakti se ne dhamë mesazhin tonë. Tashmë të gjithë e dinë se Kosova ka identitetin e saj”.