Kylian Mbappe mbrëmë më në fund ia doli të kthehet në variantin e tij të zakonshëm, atë të golashënuesit. Sulmuesi francez shënoi golat e tij të parë për Realin në kampionat që pas transferimit në “Santiago Bernabeu”.
Francezi nuk kishte arritur ta tundte rrjetën në tri ndeshjet e para, por dje shënoi dopietë, i ndihmuar edhe nga Vinicius, i cili i lejoi të gjuante penalltinë e fituar prej tij.
Duke folur pas ndeshjes për rezultatin, Mbappe dha një përgjigje interesante kur e krahasuan me Cristiano Ronaldon. 25-vjeçari i hodhi poshtë krahasimet me idhullin e tij të fëmijërisë.
“Nuk e ndiej aspak presionin. Nuk mendoj për Cristianon, me gjithë respektin për të. Cristiano është idhulli im, por unë nuk ndjek askënd. Nuk e dua atë presion. Unë dua të jem Kylian. Unë kam presion vetë sesi të përshtatem në këtë skuadër”.