Këshilltari i presidentit të Barcelonës, Enrik Masip, ka dhënë një intervistë të shkurtër për televizionin spanjoll “TV3”, ku ka folur për disa tema.
Mes të tjerave krahu i djathtë i Laportës ka folur dhe për gjendjen shëndetësore të presidentit “blaugrana”, duke iu përgjigjur dhe batutave të njerëzve që kanë vënë në dukje shtimin në peshë të numrit një të klubit.
“Janë të shumtë ata që më thonë se ai është shëndoshur shumë. Është e vërtetë, por mos harroni se dhe presioni këtu është shumë i madh”, nënvizoi ai.
Ish-hendbollisti ka folur për rimodelimin e stadiumit “Camp Nou” si dhe për merkaton e klubit. Masip nuk e ka fshehur se klubi është i acaruar në të gjitha aspektet.
“Ajo që trashëgohet në pjesën ekonomike është kaq e egër… Duhet të menaxhosh dita-ditës dhe të fitosh trofe, nëse nuk firmos, nuk fiton, nëse nuk fiton, nuk gjeneron të ardhura…”, ka thënë ai. Ky presion po prek pikërisht dhe presidentin Joan Laporta.
“Shumë njerëz thonë, shiko sa është trashur Laporta… por tensioni që kur ai mori drejtimin e klubit është i jashtëzakonshëm. Kjo situatë krijon ankth… Kur jam pranë tij mundohem ta kontrolloj shumë, i them të mos konsumojë pije të gazuara, ia ndaloj ëmbëlsirat… Jam i ashpër me të në këtë drejtim, ia them drejt në sy çfarë kam, sepse kemi një marrëdhënie të shkëlqyer personale. Mundohem të përkujdesem për të, i them të ecë më shumë, të bëjmë sport bashkë…”, shpjegoi ai.
Sa i përket punimeve të stadiumit, Masip ka pranuar se nuk ka mundur as t’i vizitojë. Përveç kësaj, ai ka bërë të qartë se zgjidhja e vetme në këtë kohë është transferimi në “Stadiumin Olimpik Montjuïc”.
“Nuk kam shkuar në stadium për të parë punimet. Sa për stadiumin e ri ku do të luajmë nga sezoni i ardhshëm, natyrisht që është një sakrificë për të gjithë ne. Por në kushtet ku ndodhemi ishte alternativa e vetme që të mos largoheshim nga Barcelona”, tha Masip.
PANORAMASPORT.AL