Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se Kosova i është mirënjohëse familjes Gjakova, për Norën dhe Akilin, për kontributin e tyre në xhudo.
Ai përmes një postimi në Faceboook ka lavdëruar Nora dhe Akil Gjakova të cilët janë duke përfaqësuar Kosovën në lojërat olimpike.
“Me pak më shumë fat, Akil Gjakova sot do të kthehej me medalje nga Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Megjithatë, një paraqitje fantastike, në eventin më të madh sportiv në botë ku finesat vendosin, duke treguar përgatitjen dhe kualitetin e tij të jashtëzakonshëm prej sportisti elitar”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ndër të tjera ka përmendur edhe Nora Gjakova e cila është e vetmja sportiste që përfaqëson Kosovën në tri Olimpiada të ndryshme.
“Me apo pa medalje, vetëm krenari për këtë djalosh. Po aq krenarë jemi edhe me Nora Gjakovën, motrën e tij, e cila u bë sportistja e vetme që përfaqëson Kosovën në tri Olimpiada të ndryshme. Familja Gjakova i ka dhënë shumë dinjitet e krenari xhudos dhe Kosovës, për çka u jemi shumë mirënjohës. Faleminderit Nora dhe Akil. Suksese në paraqitjet tuaja të ardhshme”, ka përfunduar Krasniqi. /Lajmi.net/