Interi është me sytë nga çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe tashmë i ka ngelur vetëm një pengesë dhe quhet Fejenord.
Skuadra holandeze udhëton në Milano, në sfidën e kthimit, ku zikaltrit kërkojnë të konfirmojnë rezultatin pozitiv të arritur edhe në ndeshjen e parë të fituar me rezultatin 2-0. Do të jetë gjithashtu një ndeshje speciale për Simone Inzagin, pasi do të kapë numrin e 200 ndeshjeve në krye të Interit. Në prag të kësaj sfide speciale, trajneri zikaltër ka folur për mediat, duke analizuar situatën dhe momentin zikaltër.
Çfarë kalon në kokën e një trajneri, kur ka edhe 19 ndeshje drejt tripletës? Si është gjendja jote emocionale?
Është shumë mirë, jam i përqendruar te ndeshja me Fejnordin, pasi, edhe pse kemi fituar 2-0 në sfidën e parë, pak ditë më parë kaluam në një ndeshje që, nëse nuk e mbajmë ritmin, gjithçka bëhet e vështirë. Në Champions, të gjitha ndeshjet kanë rreziqe.
Do të bësh vlerësime për formacionin duke u bazuar dhe te sfida me Atalantën?
Unë nuk bëj zgjedhje në bazë të kampionatit, por megjithatë duhet të bëjmë llogaritë me disa mangësi që kemi. Duhet të studiojmë edhe stërvitjen e fundit. De Vrij dhe Lautaro nuk janë trajnuar me grupin, por kam ndjesi të mira. Gjithashtu kemi humbur edhe Zielinskin, një dëmtim që nuk na duhej në këtë moment.
Turam dhe Çalhanoglu janë më mirë kur i mban në fushë, edhe nëse nuk janë në formën e tyre më të mirë?
Jam duke bërë vlerësimet e mia. Turam po lufton me një problem prej një muaji dhe që po i krijon shqetësime dhe nuk e lejon të trajnohet si më parë. Po luan me injeksione dhe nuk tërhiqet kurrë pas. Do të bëjmë vlerësimet në stërvitje. Nuk është Korrea, ndërsa Lautaro do të jetë në dispozicion.
Të luash duele direkte me konkurrentët e tjerë, është një problem apo një stimul më shumë?
Nuk duhet të jetë një problem, por një stimul. Duhet të jemi krenarë për atë që po bëjmë. Këta djem gjejnë energji që ndonjëherë e pyesim veten se si e bëjnë. Për më tepër kemi pasur disa mungesa që kanë kufizuar rotacionin. Përveç kësaj, këtë vit, edhe Liga e Kampioneve ka zgjeruar kohën për kualifikimin në këtë fazë ku ndodhemi, ndryshe nga viti i kaluar kur u kualifikuam që në nëntor.
Dy vite më parë, Interi filloi të fitonte pothuajse të gjitha ndeshjet në fundin e sezonit. Mund të jetë një shembull për t’u ndjekur?
Absolutisht, megjithëse dy vjet më parë Liga e Kampioneve nuk ishte kjo dhe kualifikimi erdhi dy muaj më herët se këtë vit. Edhe në mendjen e lojtarëve dhe stafit nuk ka qenë e lehtë të përballemi me më shumë kundërshtarë krahasuar me të kaluarën. Rotacionet për ne janë thelbësore dhe nuk mund t’i bëjmë, veçanërisht në krahë. Tani përpiqemi të bëjmë më të mirën në këto dy ndeshje dhe pastaj shpresojmë që gjatë pauzës të rikuperojmë energji.
Çfarë do të thonë 200 ndeshje në krye të pankinës së Interit?
Janë shumë, është krenari për mua. Falënderoj lojtarët dhe klubin që më kanë bërë të mundur të qëndroj këtu.
Do të rikthehet Zomer? A pret diçka më shumë nga Taremi?
Po, do të luajë ai në portë, megjithëse Martinez ka bërë shumë mirë në ndeshjet e fundit. Taremi po punon dhe po përpiqet të na ndihmojë. Punon me përqendrim dhe është integruar në grup, por është një sulmues dhe po kërkon golin. Kundër Fejnordit mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për të.
Si e gjykon faktin që Federata e Holandës i dha leje Fejnordit që të mos luajë?
Kjo është rregullorja, iu dha mundësia dhe bëri mirë që kërkoi. Do të doja që të kishin luajtur si ne.
Si e vlerëson rritjen e Dumfris?
Duhet t’i bëjmë komplimente për rritjen dhe performancat e tij. Nuk ka ardhur rastësisht tek Interi. Ai ishte kapiten te PSV-ja dhe te kombëtarja holandeze. Dëshiron gjithmonë të përmirësohet, gjithmonë kërkon të shikojë klipet e tij personale dhe të ekipit, sepse do të bëjë gjithmonë më mirë dhe kjo është një cilësi shumë e madhe që ka.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL