Kriza në Lindjen e Mesme ka krijuar paqartësi edhe për botën e Formula 1, që rrezikon një pezullim ose riorganizim të kalendarit. Rreziku është më konkret nga sa mund të mendohet. Nëse nisja në Australi nuk duket, – për momentin, – në diskutim, Botërori mund të ndjekë një rrugë tjetër.
Testet para sezonit u zhvilluan në Bahrejn dhe përfunduan në kohë pa pasoja. Pak ditë më pas Irani bombardoi një bazë të SHBA-ve, duke detyruar teknikët të anulonin testet e gomave. Disa pjesëtarë të Ferrarit madje nuk kanë mbërritur ende në Melburn.
Për të shkuar në Lindje nuk është e lehtë aktualisht. Linja siberiane është mbyllur prej 4 vitesh dhe mbetet nëpërmjet Lindjes së Mesme, që në këtë moment është e ndezur. Edhe autostrada qendrore, – mbi Iran dhe Gadishullin arabik, – është mbyllur.
E vetmja trajektore e mundshme është ajo mes Afganistanit dhe Pakistanit, por përplasjet e fundit mes dy vendeve, – me Islamabadin që ka deklaruar “luftë të hapur”, – çojnë në një vlerësim për një mbyllje të mundshme edhe aty. Në këtë moment nuk ka një korridor të sigurt Europë-Azi.
Pjesa më e madhe e skuadrave të Formula 1 ka mbërritur në Melburn dhe gara e parë e Botërorit nuk pritet të shtyhet. Pas Australisë vjen turneu aziatik, në Kinë, Japoni e më pas, më 12 dhe 19 prill me garat e Bahrejnit dhe Arabisë Saudite. Janë gara ende të konfirmuara, por nuk dihet se çfarë do të ndodhë pas një muaji.
FIA gjithsesi po vlerëson një ndryshim të kalendarit. Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, Mohammed Ben Sulayem, ka deklaruar: “Po shohim me shumë kujdes çfarë po ndodh, siguria do të udhëheqë vendimet tona në lidhje me eventet e ardhshme në atë zonë”.