Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i ka bërë thirrje talentit, Drilon Hazrollaj, por edhe lojtarëve të tjerë të rinj që të jenë të kujdesshëm për mënyrën se si veprojnë kur marrin ftesën nga Kombëtarja e Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, Ademi ka thënë se Hazrollaj mund të ftohet nga trajneri i ri i Kosovës, Franco Foda, edhe pse ai ka refuzuar të luajë për grup moshat U21.
“Sa i përket Hazrollajt, ka ndodhur si ka ndodhur tek U-21, por trajneri mund ta ftoj sepse Hazrollajt i kalon edhe koha ndoshta me U-21 dhe mund të jetë në listën e tij.
Është e drejtë e tij e fton apo jo, sigurisht që është edhe çështje e tij nëse do që të vijë apo jo, por unë do të thoja që kur është puna e kombëtares duhet pasur shumë kujdes Hazrollaj dhe të tjerët, të gjithë. Është diçka jo personale, por është popullore, është kombëtare dhe nëse është ashtu dhe abuzon me këtë pjesë, i hyn në hak gjithë popullit, kombit, tifozëve, njerëzve të futbollit dhe gjithë shtetit sepse përveç që është krenari në aspektin kombëtar, është edhe përgjegjësi edhe prezantim në aspektin ndërkombëtar dhe nuk mundesh aty ku thirret himni i një shtetit, nuk mundesh me atë pjesë të luash”, ka thënë Ademi.
Ademi ka folur edhe për kuvendin e punës së FFK-së, aty ku pati një mbështetje totale nga ana e të gjitha klubeve, mbështetje kjo për të cilën, Ademi thotë se ka ardhur për shkak të punës së mirë të kësaj federate.
“Unë mund të them që kjo është një fuqi e futbollit, nuk është fuqi e Agim Ademit. Është një fuqi e futbollit, fuqi e një komiteti, është një fuqi e një kuvendit të Federatës së Futbollit sepse klubet e kanë parë dhe e kanë prekur rezultatin, e kanë përjetuar vet dhe normalisht edhe ato të cilat kanë pasur hezitime, ose kanë pasur ndonjë arsye tjetër që kanë qenë kundër, e kanë parë edhe vet Agim Adem sheh për futboll, punon vetëm për futboll, nuk është që punoj për grupe të caktuara ose për veten time…Unë jam shumë falënderues që e kanë kuptuar konceptin dhe e kanë kuptuar punën dhe idetë e Federatës së Futbollit, bashkërisht me Agim Ademin sepse Agim Ademi është i pari në futboll me emër, por tek puna vij i fundit sepse vendimet i merr një komitet ekzekutiv bashkërisht me mua normalisht”, tha Ademi.
Kritika të mëdha për këtë kuvend pati për shkak se ai u mbajt pa praninë e mediave.
“Sa i përket mediave, është e vërtetë që për ne është shumë më mirë të jenë mediat, por nuk është ndonjë gjë që po duam ta bëjmë jashtë mediave ose që po duam t’i hakmerremi mediave…Ka munguar vendi, besoni, fizikisht ka munguar vendi sepse nuk ke ku t’i vendosësh kamerat, ti si person mund të hysh, u kam thënë gazetarëve që si person mund të hysh dhe ta monitorosh kuvendin, është në rregull, por ka qenë çështje hapësire…Unë mendoj që dalja live është një pjesë e transparencës sepse e sheh në kohë reale se çfarë po ndodh në kuvend, nuk ka çfarë të fshihet kur është live”, theksoi më tutje Ademi.
I pari i FFK-së ka folur edhe për marrëdhëniet me Ministrinë e Sportit. Ai thotë se tashmë është arritur “një paqe”, në mes të këtyre dy institucioneve.
“Ne kemi pasur fërkime ndoshta në këto pjesët e dokumenteve, në këto pjesën e ligjeve, udhëzimeve administrative, përndryshe, normalisht që ne i respektojmë institucionet tona si federatë, pavarësisht që ne jemi të pavarur, por aty ku lidhemi, varësia jonë me ta jemi të gatshëm të japim përgjegjësi dhe aty ku ne jemi të pavarur normalisht nuk lejojmë përzierje, është e vërtetë…Tani për tani jemi në pozicione shumë të mira, normale, ashtu siç duhet të jenë, do të thotë kontakti edhe nga ana e tyre edhe nga ne. Faktikisht po bashkëpunojmë në të gjitha projektet sepse ka projekte të përbashkëta edhe uroj të vazhdojë ky bashkëpunim dhe uroj që kjo nismë e ministrisë për objektet sportive, të infrastrukturës ne do ta na ketë prapa gjithherë”, shtoi më tutje i pari i FFK-së.
Njëra nga çështjet më të diskutuara mbetet edhe lokacioni i stadiumit nacional. Sipas Ademit, MKRS është duke punuar në këtë drejtim, por që lokacioni nuk është caktuar ende dhe se FFK, nuk ka ndonjë preferencë për vendin ku ai duhet të ndërtohet.
“Rreth stadiumit nacional është pjesë e cila i takon plotësisht ministrisë, aty kur dhe ku vendosin ata ta bëjnë. Sigurisht që ata nuk kanë folur për ndryshimin e vendit, aty ku ka qenë në Drenas herën e fundit ku është bërë fizibiliteti, por sigurisht nëse duhet ndihma jonë që ne e japim ndihmën në formë të këshillës së pjesës së kritereve të UEFA-së dhe të FIFA-së për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, fusha si duhet të jetë, objektet zyrtare fillimisht dhe pastaj pjesa tjetër komerciale që mund ta bëjë qeveria për nevojat ose dëshirën e tyre. Federata është e gatshme ta pranojë kudo që ata e bëjnë, aty ku është caktuar dhe kudo tjetër që ata duan ta bëjnë në Kosovë, sigurisht që Federata e Futbollit e mirëpret”, nënvizoi Ademi.
Përtej këtyre zhvillimeve, së fundi është emëruar edhe trajneri i ri në krye të Kombëtares së Kosovës dhe i përzgjedhuri ishte gjermani Franco Foda. I pyetur nëse Foda është trajneri më i paguar deri më tani që i ka pasur Kosova, Ademi tha është një pagë normale.
“Kur e shohim që ka ardhur me pesë veta, nuk është. Është në atë pjesën në të cilën kanë qenë pothuajse pak a shumë të gjithë trajnerët me plus apo minus, por është shumë e përballueshme dhe është një pagë normale dhe tani bonuset janë të tjera. Nëse na kualifikon Foda, sigurisht që do të jenë edhe bonuset tjera që do të jenë që e përmbush pjesën ekonomike, por gjithsesi jemi me këmbë në tokë dhe me shuma reale”, tha Ademi.
Ndryshe, Federata e Futbollit së fundi ka miratuar strategjinë e re të futbollit e cila, sipas Ademit, do t’i vë themelet për të ardhmen e futbollit kosovar.