Kujdes, ADN-ja e një klubi nuk ndryshohet brenda natës”, kishte paralajmëruar Masimiliano Alegri. Dhe fjalët e tij sot tingëllojnë si një profeci në ambientet e Juventusit. Pas humbjes së rëndë në fushën e Parmës, e para në epokën “Tudor”, klubi bardhezi po përballet me një tjetër moment të vështirë në një sezon tashmë të trazuar.
Efekti “tronditje” që solli trajneri i ri, duket se është shuar shumë shpejt. Ekipi është shfaqur sërish i paqartë, i brishtë, dhe me atë “joitalianizëm”, për të cilin Igor Tudor ka ngritur alarmin. “Nuk fitohet me skema, sisteme apo kombinime,- tha ai pas ndeshjes,- por me qëndrueshmëri mendore, me agresivitet, me aftësinë për të mos falur asgjë kur nuk arrin të shënosh. Na duhet më shumë… italianizëm”.
SITUATA- Një tjetër ndeshje e zymtë, një tjetër sulm pa ide dhe pa thellësi, një tjetër natë ku mungesa e personalitetit dhe vendosmëria bën diferencën. Kjo humbje ndërlikon edhe më shumë garën për një vend në Champions, objektivi absolut për klubin. Pa kualifikim në kompeticionin më të rëndësishëm europian, çdo gjë do të vihej në pikëpyetje në Torino, duke nisur nga drejtori Kristiano Xhuntoli, te lojtarët dhe sidomos trajneri Tudor.
LOJTARËT- Për ndeshjet e mbetura, pesë gjithsej, përfshirë dy duele direkte me Bolonjën dhe Lacion, trajneri kroat po mendon për ndryshime të forta. Në diskutim është edhe Dushan Vlahoviç, i cili u largua në pushimin e pjesës së parë në Parma për shkak të një dëmtimi, por edhe për shkak të një tjetër performance zhgënjyese. Sulmuesi serb ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës me Tudor në pankinë. Një tjetër lojtar në vështirësi është Andrea Kambiazo, i zbehtë që prej muajsh dhe i paqëndrueshëm fizikisht. Mungesa e përqendrimit, e përfolur edhe për shkak të interesimit nga merkato, po reflektohet në fushë. Nëse Niko Gonzalez konfirmon pritshmëritë, Kambiazo mund ta gjejë veten në stol.
SHPRESAT- Një rikthim i shumëpritur është ai i Teun Kopmeiners, mungesa e të cilit në Parma u ndie fort. Mesfushori holandez mund të jetë arma sekrete e Tudor për ta kthyer sezonin në një histori shpëtimi. Investimi prej rreth 60 milionë eurosh që Juve bëri për ta marrë nga Atalanta pritet të shpërblehet në këtë finale të sezonit. Kualifikimi në Champions do të mbushte arkën, por edhe do të rikthente ambicien që prej kohësh mungon në Kontinasa. Tani është momenti i së vërtetës për Juventusin dhe vetëm koha do të tregojë nëse do të jetë një kthesë drejt ringritjes apo fillimi i një kapitulli të ri të pasigurt për “Zonjën e Vjetër”.
PANORAMASPORT.AL