Mbrojtësi me shumë eksperiencë i Dinamos, Rustem Hoxha, beson për një sezon më të mirë sesa ai i vjetshmi, me blutë në 4-shen e parë në fund të tij.
Ai parashikon një kampionat shumë të luftuar, ndërkohë vlerëson përforcimet e bëra nga Dinamo dhe shpreson shumë për fitoren e parë kundër Bylisit në ndeshjen e radhës.
Ku e shikon Dinamon në fund të sezonit?
Është shumë herët për të bërë parashikime të sakta, sepse është luajtur vetëm java e parë.
Me shumë punë dhe përqendrim do të mundohemi të fitojmë ndeshjet tona, duke synuar të grumbullojmë sa më shumë pikë.
E thashë që në fillim se besoj shumë te ky grup që kemi. Presidenti Bardhi ka afruar lojtarë me kualitet dhe eksperiencë, siç janë Bregu dhe Dita që e njohin kampionatin tonë shumë mirë, Muzek po ashtu ka eksperiencë.
Por, janë afruar dhe lojtarë të rinj të talentuar, që e bëjnë Dinamon një skuadër të fortë. Jemi në nga skuadrat me më shumë trofe në futbollin shqiptar dhe tani na takon ne ta çojmë Dinamon aty ku e meriton të jetë. Për këtë do të japim gjithçka në fushë dhe shpresoj që të gjejmë fitoren që në ndeshjen e radhës me Bylisin.