Lara Colturi ka bërë një paraqitje shumë të mirë në slalomin gjigant në Kranjska Gora të Sllovenisë, ndalesa e radhës e Kupës së Botës në Ski për femra, event që transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Ndonëse slalomi gjigant nuk është disiplina e saj e preferuar, skiatorja kuqezi ka nisur vitin 2026 në mënyrë shumë të mirë, duke zënë vendin e 6-të në Kranjska Gora, ky është rezultati më i mirë i këtij sezoni në slalom gjigant për Lara Colturin.
Gara në Kranjska Gora u fitua nga Camille Rast, ndërsa në vendin e dytë u rendit Julia Scheib. Në shkallën më të ulët të podiumit qëndron Paula Moltzan.
Lara Colturi bën një tjetër paraqitje të mirë dhe merr pikë të rëndësishme në renditjen e përgjithshme. Skiatorja 19-vjeçare do të garojë sërish nesër në Kranjska Gora në disiplinën slalom dhe gara e saj do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në RTSH.


