Sunday, 1. November 2026
Sport

Kur do të kthehet Broja? Trajneri i ri i Burnley jep detaje rreth sulmuesit

GS 01/11/2026 2 Min. Lesezeit

Armando Broja vazhdon të përballet me probleme fizike, në një periudhë kur sulmuesi shqiptar po përpiqet të fitojë sërish besimin dhe një vend të rëndësishëm te Burnley. Futbollisti kuqezi mori një mundësi të artë për të treguar vlerat e tij, duke e nisur nga minuta e parë në përballjen ndaj Lincoln, por aventura e tij përfundoi pas vetëm 10 minutash lojë.

Broja ndjeu një tërheqje në kofshë dhe u detyrua të largohej nga fusha, duke ngritur menjëherë pikëpyetje për gjendjen e tij fizike dhe kohën që do t’i duhet për t’u rikthyer në dispozicion të skuadrës.

Kjo ishte edhe ndeshja e fundit e trajnerit të mëparshëm, Scott Parker, ndërsa në krye të pankinës së Burnley ka ardhur trajneri i ri, Fabio Celestini. Ky i fundit debutoi në barazimin 0-0 ndaj Portsmouth, ndërsa një nga temat për të cilat u pyet pas ndeshjes ishte pikërisht situata e sulmuesit shqiptar.

Tekniku nuk dha një afat të saktë për rikthimin e Brojës, duke theksuar se stafi do të presë për të kuptuar më mirë shkallën e dëmtimit.

“Ajo që dimë është se do të qëndrojë jashtë fushave për pak më gjatë. Do të presim deri javën tjetër për të pasur më shumë siguri. Për momentin, nuk mund të themi nëse do të mungojë dy, tri, katër apo pesë javë”, u shpreh Celestini.

Kështu, për Brojën nis një tjetër periudhë pasigurie, pikërisht në momentin kur po kërkonte të përfitonte nga mundësia për të luajtur si titullar. Mungesa e një afati të qartë për rikthimin e tij e bën situatën edhe më të vështirë, ndërsa Burnley pret të mësojë më shumë për gjendjen e sulmuesit shqiptar.

Për futbollistin kuqezi, objektivi mbetet rikuperimi i plotë dhe rikthimi në fushë, në mënyrë që të lërë pas problemet fizike dhe të rifitojë vazhdimësinë që i ka munguar gjatë periudhës së fundit.

Teilen: