Gati sa nuk e ngremë në qiell Kombëtaren tonë të futbollit pas eliminimit nga Euro2004! Po sikur të fitonte mbrëmë, çfarë do të bënim?!
Sipas mendimit tim, humbja ndaj Spanjës është kryekëput pasojë e lojës më të keqe që Kombëtarja jonë ka bërë ndonjëherë! Nuk i kuptoj analistët, komentuesit apo të ashtuquajturit ekspertë të futbollit të TV-ve tona, të cilët e thonë të kundërtën – gjoja paraqitjen e mirë apo “humbjen dinjitoze” të Kombëtares sonë ndaj Spanjës!
Të humbësh nga një Spanjë, pa dyshim njëra ndër më të fortët në botë, dhe njëkohësisht njëra nga pretendentët më kryesorë për ta fituar Kampionatin Evropian të Futbollit, Euro2024, vërtet nuk është turp. Tekefundit, ndaj Spanjës ka humbur edhe Kroacia, bile me rezultat edhe më të thellë (0:3), ndonëse Kombëtarja kroate qëndron dukshëm më lartë sesa Shqipëria në ranglistën botërore. Mirëpo, loja që Kombëtarja jonë bëri mbrëmë ndaj Spanjës ishte tejet e dobët, dëshpëruese dhe shumë zhgënjyese – nuk bëmë asnjë kërcënim serioz ndaj portës së kundërshtarit (përveç dy-tre gjuajtjeve) përderisa goli që pësuam ishte rrjedhojë e intervenimit amatoresk, apo më mirë të them, e mosintervenimit të mbrojtjes sonë!
Nuk mund të presësh sukses nëse luan vetëm duke u mbrojtur dhe njëkohësisht nuk sulmon fare! Duket sikur Kombëtarja jonë ka frikë të shënojë gol, ose hyn në lojë të mos pësuar, për të mos fituar dhe gjithnjë e kënaqur për të barazuar! Këtë lloj teknike të lojës Kombëtarja shqiptare e ka zbatuar jo vetëm në tri ndeshjet e fundit në Euro2024, por pothuajse në çdo ndeshje të deritashme dhe ndaj çdo kundërshtari pa marrë parasysh i çfarë cilësi ka qenë. Mbase, kjo formë e lojës duket sikur të jetë bërë “standard” i Kombëtares sonë, e aplikuar jo vetëm me Sylvinon në krye, por me të gjithë teknikët tjerë cilido që ka qenë para Sylvinjos. Duke qenë kështu, kam përshtypjen se trajner i vërtetë i Kombëtares shqiptare nuk është braziliani Sylvinjo, siç nuk ka qenë asnjë tjetër para tij, por Presidenti i përjetshëm i FSHF-së, Armando Duka & co, të cilët duket se janë ata, e jo trajneri ai që bën formacionin dhe vendos për skemën e lojës.
Hiç vitet e parakomunizmit, gjatë të cilave Kombëtarja e Shqipërisë ka qenë autsajdere me vulë, e cila u ka shërbyer kundërshtarëve vetëm për ta përmirësuar galaverazhin e tyre, imazhi i saj sot ka ndryshuar për të mirë, megjithëse jo aq sa krenohemi ne.
Pjesëmarrja në tanimë dy kampionate evropiane vërtet është sukses, dhe si tillë nuk mund të mohohet, mirëpo prapë se prapë jo aq i mjaftueshëm dhe jo aq sa mund të kishim pritur.
Pa asnjë dyshim, mbështetjen që Kombëtarja jonë e kishte në stadiumet e Gjermanisë nuk e pati asnjë kombëtare tjetër, madje as ajo e Gjermanisë, e cila luan si organizatore dhe nikoqire e Euro2024.
Të gjithë ata shqiptarë, pjesa dërmuese e të cilëve janë gurbetçarë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët me djersë dhe mund të madh i fitojnë ato para nga punët e rënda në Gjermani dhe në vendet tjera në Evropë e më gjerë, por të cilët nuk kursyen asgjë, dhe ato para nuk iu dhimbsen për t’i shpenzuar për biletat shumë të shtrenjta dhe për të krijuar atmosferë si asnjë tifozëri tjetër, vetëm e vetëm për t’i mbështetur djemtë tanë, nuk kanë merituar zhgënjim të tillë çfarë na solli Kombëtarja jonë.
Nga një Kombëtare me lojë të zbehtë, shpeshherë edhe anemike, me sulmues jocilësorë, jo të shkathtë, jo shumë të rrezikshëm, jo seriozë, në shumë raste edhe egoistë; me mesfushë të çorientuar e të pakoordinuar; dhe mbi të gjitha me një mbrojtje tërësisht amatoreske, e cila pëson nga pothuajse çdo aksion i kundërshtarit, ose nuk pëson vetëm nga fati, nuk mund të presësh sukses. Shkurt e thjesht: nuk mund të presim më shumë se kaq!
Kombëtarja e Shqipërisë do të sjellë suksese vetëm atëherë kur ajo do të çkapet nga “pronari” i saj i përjetshëm, Presidenti Armando Duka! Suksesi i Kombëtares kuqezi do të vijë vetëm atëherë kur FSHD (Federata Shqiptare “e Dukës”) do të bëhet FSHF (Federata Shqiptare e Futbollit). Ndryshe, jo!