Interi zgjidh çështjen e portës!
Yann Sommer do të jetë portieri i ri i Interit.
Zikaltrit kanë arritur marrëveshjen si me gardianin zviceran, që mezi pret transferimin në Milano, ashtu edhe Bayernin e Mynihut.
Marrëdhëniet mes dy klubeve janë të shkëlqyera dhe palët kanë rënë dakord për transferimin e Sommer, megjithatë bavarezët kanë kërkuar vetëm pak kohë, që të gjejnë një tjetër portier, duke qenë se nuk ka ende një datë të saktë për rikuperimin e Manuel Neuer.
Aktualisht Sommer është me klubin në Tokio dhe mbetet në pritje të miratimit për t’u bashkuar me skuadrën e drejtuar nga Simone Inzaghi, ku do të marrë vendin e lënë bosh nga Andre Onana, i cili u transferua te Manchester United.
Krahas Sommer, Interi do të provojë të sjellë në Milano edhe portierin ukrainas Anatoliy Trubin, me të cilin ka arritur tashmë marrëveshjen.
Zikaltrit kanë ofruar 10 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa Shakhtar Donetsk kërkon shumë më tepër.
Megjithatë kontrata e Trubin skadon verën e ardhshme, ndaj në fund të merkatos pritet që klubi ukrainas të dorëzohet dhe të pranojë ofertën e Interit, për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë.