Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimet për miratimin e 12 ligjeve të cilat ishin marrë në mbledhjen e 5 dhjetorit të 2024-së, në mesin e të cilave ishte edhe Ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në një publikim të premten, Kushtetuesja ka bërë të ditur se ka shfuqizuar vendimet për miratimin e Ligjeve të datës 5 dhjetor 2024, në mesin e të cilëve janë edhe Ligji për Lojërat Mesdhetare dhe ai kundër dukurive negative në sport.
Sipas Kushtetueses, Kuvendi pati miratuar 20 ligje, derisa votimi ishte bërë pa praninë e opozitës e duke iu shmangur afateve të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në përputhje me nenet 113. 5 dhe 116. 2 të Kushtetutës, në nenet 20, 27 dhe 42 të Ligjit dhe në bazë të rregullave 48 (1) (a) dhe 72 të Rregullores së punës, më 12 nëntor 2025: VENDOS TË SHFUQIZOJË, me pesë (5) vota për dhe dy (2) kundër, dhe (xii) Vendimet [Nr. 08-V-799] dhe [Nr. 08-V-846] e 5 dhjetorit 2024 të Kuvendit, përmes të cilëve është miratuar Ligji Nr. 08/L-334 për Lojërat Mesdhetare”, shkruan në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ligji për Lojërat Mesdhetare parasheh dhe rregullon dispopozitat për mbajtjen e Lojërave Mesdhetare për herë të parë në vendin tonë, përmes së cilave përveç suksesit sportiv, pritet t’i sjellë vendit edhe përfitime në fushën e infrastrukturës sportive.


