Khvicha Kvaratskhelia është zgjedhur “MVP” për sezonin 2022/23 në Serie A.
Gjeorgjiani, që u shpall kampion me Napolin, është vlerësuar nga Legia Serie A si futbollisti më i mirë i këtij sezoni.
Kvaratskhelias çmimi do t’i dorëzohet para ndeshjes së fundit të Napolit për këtë sezon, ndaj Sampdorias, të dielën.
Lega Serie A shpjegoi se “më i miri u zgjodh duke marrë parasysh analizën e avancuar të “Stats Perform”, të krijuar nga të dhënat e gjurmimit të regjistruara me sistemin “Hawk-Eye”.
Sistemi i vlerësimit, i patentuar në vitin 2010 me “K-Sport” dhe i vërtetuar shkencërisht, merr në konsideratë jo vetëm të dhëna statistikore dhe ngjarje teknike, por edhe të dhëna pozicionale.
Kjo bën të mundur analizimin e aspekteve thelbësore si lëvizja pa top dhe rrjedhimisht lëvizjet optimale, zgjedhjet e lojës dhe kontributi në efikasitetin teknik dhe fizik të ekipit, të cilat lejojnë një vlerësim objektiv dhe cilësor të performancës.
Për llogaritjen përfundimtare janë konsideruar të gjitha ndeshjet e luajtura në Serie A (përveç xhiros së 38-të)”.
“Ndikimi i Khvicha Kvaratskhelia në ligë ka qenë mbresëlënës.
Urime Napolit që solli në Itali këtë talent, i cili që në ndeshjet e para tregoi repertorin e tij të teknikës, duke dribluar, personalitet dhe kreativitet.
Me 12 gola dhe 10 asistime Kvaratskhelia ishte një nga lojtarët kryesorë të ‘Azzurrit’, që fitoi ‘Scudetton’ dhe bëri që shumë tifozë dhe dashamirës të ëndërrojnë futboll të bukur”, tha Luigi De Siervo, shefi ekzekutiv i Lega Serie A.