Shtatë pikë në katër ndeshjet e para, një disfatë dhe një barazim në dy sfidat e fundit të kampionatit bëjnë që ambienti te kampionët e Italisë në fuqi, Napoli të mos jetë edhe shumë i qetë.
Barazimi 2-2 përballë Genoas në transfertë duket se nxjerr në pah edhe divergjencat e para të trajnerit Rudi Garcia me yjet e skuadrës.
Trajneri francez vendosi të zëvendësonte Kvaratskhelian me Zerbin në minutën e 89, por gjeorgjiani nuk ngurroi ta shprehte publikisht se nuk ishte dakord me zgjedhjen e Garcias duke qenë se në ato minuta Napoli ishte hedhur në sulm dhe po kërkonte golin e fitores.
Kamerat fiksuan sulmuesin e “hutuar” nga vendimi i Garcias ndërsa u kthye i zhgënjyer në pankinë duke mos ia ndarë sytë trajnerit.
Pas ndeshjes i pyetur për zëvendësimin, Garcia theksoi se kërkoi t’i dhuronte minuta Zerbin pasi stërvitej mirë dhe se e meritonte një mundësi.