Përfaqësuesja e Serbisë po përgatitet për sfidën ndaj Shqipërisë, ndeshje që duhet ta fitojë për të siguruar një vend në “play-off”-in e kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Trajneri i Serbisë, Dragan Stojković ‘Piksi’, iu drejtua publikut para takimit, duke përmendur veçanërisht përgjegjësinë që mban Lazar Samardžić.
Në fillim të javës, Stojković foli për shumë tema, ndër to edhe për formën aktuale të lojtarëve të kombëtares. Ai veçoi Samardžić-in, duke zbuluar se do të zhvillojë me të një bisedë “sy më sy”.
“Samardžić është në moshën e duhur për të marrë përgjegjësi. Nuk është më fillestar, ka 22 ndeshje me përfaqësuesen. Do të bisedoj me të sy më sy. Dua që ta kuptojnë këtë si mbështetje, jo si presion. Pritshmëritë e mia janë reale, nuk kërkoj asgjë që s’është normale, dhe ata e dinë mirë këtë,” – u shpreh Piksi.
Në konferencën për shtyp të mbajtur një ditë para ndeshjes, trajneri serb u ndal sërish te Samardžić dhe tek ajo që pret prej tij.
“Nesër (në ditën e ndeshjes me Shqipërinë) do të jem edhe më i qetë. Nuk i kam vënë vetes presion, kam bërë gjithçka që kam mundur për t’i përgatitur djemtë dhe për t’i bërë të mendojnë me zgjuarsi. E di formacionin, por nuk mund ta zbuloj. Kam folur me Samardžić-in dhe Kostić-in, pres më shumë dhe më mirë prej tyre.”
Sa i përket portierit, Stojković konfirmoi se Petrović do të jetë titullar, ndërsa Rajković, megjithëse është zëvendëskapiten dhe shumë i respektuar, nuk do të jetë “numri një” për këtë ndeshje.
Në fund, Piksi u ndal me një koment të drejtpërdrejtë për Samardžić-in:
“Ky djali i vogël, që mban numrin 10, duhet të dijë çfarë do të thotë ta veshësh atë fanellë. Po të kishte ndonjë numër tjetër, do ta kuptoja, por numri 10 duhet të justifikohet dhe pikërisht në momentet më të rëndësishme, si kundër Shqipërisë.”
Kujtojmë që Samardžić luan tek Atalanta, pra është shok skuadre me Berat Gjimshitin.